Lajme

Nënshkruhet kontrata për ankandin e parë solar të Kosovës

05/31/2024 13:43
nga:Sh R

Nënshkruhet kontrata ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe konzorciumit fitues “Orllati”, në ankandin e parë solar të Kosovës për centralin FV prej 100 MW në Kramovik.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli derisa ka theksuar se kjo marrëveshje është e rëndësishme për Republikën e Kosovës dhe tranzicionin energjetik, ka thënë se me këtë projekt Kosova po dëshmon se po bëhet një mjedis i favorshëm në investimet e sektorit të energjisë.

“Ky ankand do të jetë vetëm i pari prej shumë sosh që do të zhvillojmë në të ardhmen. Kosova po dëshmon që po bëhet një mjedis i favorshëm në investimet e sektorit të energjisë, dhe jo vetëm. E gjithë kjo është në dobi të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, që ndikon edhe në përmirësimin e ambientit”, tha Rizvanolli.

Në këtë drejtim, Rizvanolli ka thënë se kapcitetet e thëngjillit do të mbetën në fuqi, mirëpo do të zvogëlohen gradualisht.

“Siç kemi paraparë në strategjinë tonë të energjisë ne kemi faqe ambicioze sa i përket burimeve të ripertrishme, ndërsa kapacitetet tona të thëngjillit do të mbetëm në funksion edhe për një kohë, po qëllimi është zvogëlimi gradual i përdorimit të thëngjillit në të mirë të ambientit. E ardhmja e energjisë në Kosovë dhe qytetarëve do të jetë më e pastër”, ka shtuar Rizvanolli.