Lajme

Nënkryetarja e PDK-së: Kurti ose jeton në një univers paralel, ose ata që e rrethojnë s’po ia thonë të vërtetën

09/29/2022 22:10
nga:Astrit Gashi

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova ka thënë se kryeministri Kurti u ka shpalluar luftë bizneseve.

Ajo është shprehur Kurti i ka 700 milionë euro të deponuara në bankë.

“Kryeministri u ka shpalluar luftë bizneseve, bizneset janë ato që e mbajnë gjallë, janë tatimpaguesit më të mëdhenj të këtij vendi. Unë e di që kompanitë dhe koorporatat e mëdha nuk preken drejtpërdrejt nga vendimet arbitrare të kryeministrit gjatë këtyre muajve, por 700 milionë euro, kryeministri i mbanë të deponuara në bankë. Nuk po flas këtu për inflacionin dhe devalvimin e parasë dhe nuk i lëshon sepse ai nuk do që në këtë vend të gjenerohen punë”, tha ajo.

Tutje, ajo tha se Kurti ose jeton në një univers paralel, ose siç u shpreh ajo, njerëzit që e rrethojnë s’po ia thonë të vërtetën.

“Kryeministri ose jeton në një univers paralel ose ata që i flasin nuk ia thonë të vërtetën, unë nuk po kam shpjegim, mirëpo qytetari i Kosovës sot jeton më keq se që ka jetuar vitin e kaluar, se që ka jetuar para dy vitesh”.