Qytetarët e Prishtinës gjatë ecjes në trotuare e kanë të vështirë lëvizjen e lirë, kjo sepse veturat po vazhdojnë të parkohen në vendet e rezeruara për këmbësor. Problem ky po vazhdon të jetë shqetësim për të gjithë qytetarët, raporton Gazeta Blic.
Lidhur me këtë temë për Gazeta Blic ka folur nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj ku ka thënë se janë duke punuar që ky problem të zgjidhet edhe në rrugët periferike të qytetit, si dhe ka treguar bashkëpunimin që e kanë me Policinë e Kosovës:
“Veturat në trotuar dhe bllokimi i krejt trotuareve për ecje është një prej problemeve kronike të Prishtinës, është problem i madh i cili e ka përcjell Prishtinën për vite të tëra. Ne prej fillimi të mandatit tonë, kemi filluar me vendos barriera të cilat i ndalojnë veturat të parkohen në trotuare por kët e kemi bërë në rrugët qendrore të kryeqytitetit dhe tani do të fillojmë të punojmë pak edhe në rrugët periferike të qytetit, por meqenëse Prishtina ka shumë vetura, dhe shumë vetura edhe hyjnë në qytetin e Prishtinës çdo ditë, atëherë prishtina po bëhet një parking i madh ilegal. Ne vazhdimisht kërkojmë edhe ndihmën e Policisë së Kosovës në menyrë që këto vetura që parkohen ilegalisht në trotuare me i dënu, sepse pastaj dënimi normalisht do të jetë një farë formë diciplinimi për qytetarët e Prishtinës por edhe jashtë Prishtinës”.
Ai tutje ka folur edhe për dëmtimet e barikadave nga qytetarët.
“Normalisht që edhe dëmtohen, por ne vazhdimisht i përmirësojmë ato barriera që i vendosim, tash kohëve të fundit i kemi vendos disa barriera që duken ndryshe nga barrierat e mëparshme janë kubëza të betonit me ngjyrë, janë edhe më elegante, por e kryejn funksionin e njëjtë, me atë ritëm edhe me atë model të barrierave do të vazhdojmë edhe në rrugët periferike të qytetit”.
Nënkryetari është pyetur edhe për plane tjeta të zgjidhjes së problemit, ai ka theksuar se njëri ndër planet është kampanja vetëdijësuese për qytetarët.
“Plani eshte kampanja vetëdijësuese për qytetarët që me i liru trotuaret, sepse trotuaret janë për ecje për qytetarët, e dyta është thirrje Policisë së Kosovës me na ndihmu sa më shumë që është e mundur sepse ky është një problem i madh për Prishtinën, e katërta ne me pas Policinë komunale dhe mandej me fillu vet me i zbatu këto politikat tona dhe me vazhdu me barriera”.
Krejt në fund Zogaj ka treguar për bashkëpunimin e Komunës me Policinë, si dhe e ka përmendur mungesën e policëve, ku e cilëson një problematik të rendit të dytë:
“Kemi bashkëpunim shumë të mirë për shumë tema, edhe për këtë temë kemi bashkëpunim por ne e kuptojmë që ata kanë munges të numrit të Policëve për të qenë në çdo rrugë, në çdo kohë, pastaj kjo po mbetet një problematik e rendit të dytë”.


