Avokati Skënder Musa, në një prononcim për Gazeta Blic ka folur për nenin 7 të marrëveshjes së arritur në Bruksel për normalizim të raporteve Kosovë-Serbi, pra planin franko-gjerman.
Ai thotë se ai nen parasheh zbatimin e të gjitha marrëveshjeve, përfshirë Asociacionin, por që duhet të jetë pa kompetenca ekzekutive, mirëpo marrëveshja përmban Zajednicën dhe Kosova nuk mund t’i shmanget atij.
“Sa i përket marrëveshjes të propozuar nga Franca dhe Gjermania dhe më pas dhe BE dhe të përkrahur nga SHBA-të, neni 7 parasheh që të zbatohen të gjitha marrëveshjet që janë arritur deri tash mes Kosovës dhe Serbisë dhe padyshim që parashihet edhe implementimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo marrëveshje është e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës dhe është obligative për Kosovën dhe në aspektin juridik duhet të implementohet por gjithsesi duhet të merren parasysh vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që të mos krijohet pushteti i tretë apo ndonjë pushtet paralel, mirëpo të jetë një bashkësi e komunave e komunave serbe pa kompetenca ekzekutive dhe në ato fushat që parashihet marrëveshja për aktivitete kulturore dhe shëndetësore natyrisht që do të jetë edhe e harmonizuar edhe me ligjin për qeverisje lokale. Mirëpo, pavarësisht se çka deklarojnë politikanët, marrëveshja e tillë është obligative dhe e përmban Zajednicën, nuk mund t’i shmanget Kosova detyrimit ndërkombëtar që është marrë, edhe për marrëveshjet e mëhershme edhe për marrëveshjen që u deklaruan kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë”, thotë ai.
Avokati ka folur edhe për statusin e Kishës Ortodokse që përmendet ne atë nen.
“Edhe te statusi i Kishës Ortodokse për fat të keq është e njëjta gjë, edhe pse e di që shumica e qytetarëve të Kosovës kanë pritur që kishte ortodokse të jetë e Kosovës mirëpo kishat kanë një lloj autonomie, ndërkaq komuniteti shqiptar dhe komunitete tjera janë ose nuk ka fare ortodoksë ose ka një numër simbolik të ortodoksëve”, thekson Musa për Gazeta Blic.
Ai flet dhe për mundësinë që të jetë rasti i njëjtë si me Malin e Zi.
“Nuk besoj që mund të jetë rasti i njëjtë rasti si në Malin e Zi, pasi atje numri i ortodoksëve është i madh, rreth 20 për qind janë, ndërsa në Kosovë numri është i vogël, edhe pse nuk e ka pasur statusin e njohur me ligje të Kosovës si kishë ortodokse serbe, në fakt ka vepruar si e pavarur prej bashkësive fetare në Kosovë. Megjithatë ligji për bashkësi fetare e parasheh edhe fenë ortodokse, por do të ketë probleme pasi njihet edhe si një objekt fetar serb e jo si objekt kulturore ose fetare e Kosovës, ndërsa në ligj mund të rregullohet nga bashkësitë fetare, mirëpo gjithçka çfarë nënshkruhet në marrëveshje krijon detyrim dhe duhet të rregullohet me ligj të veçantë në zbatim”, vlerëson avokati.
Musa potencon se do të ketë problem gjatë implementimit të marrëveshjes, edhe sa i përket Asociacionit, edhe sa i përket Kishës Ortodokse. Ai thotë se Serbia fitoi dy gjërat që i donte.
“Natyrisht se do të ndodhin shumë probleme me implementim, edhe sa i përket bashkësisë së komunave serbe, edhe sa i përket kishës ortodokse serbe sepse me këtë marrëveshje Serbia i fitoi dy prej kërkesave të saj që kanë qenë, ndërsa Kosova nuk e ka fituar njohjen, megjithatë më mirë është një marrëveshje pak më e keqe pasi krijon stabilitet dhe paqe në Kosovë dhe i hap rrugë anëtarësimit në organizata ndërkombëtare dhe ndoshta edhe ndonjë njohje nga vendet e BE-së apo vendet tjera, se sa një gjendje e tillë në veri kur është bllokuar jeta institucionale dhe janë larguar serbët nga vendet e punës”, deklaron avokati Skënder Musa./Gazeta Blic/


