Nenad Gjuriq dhe Aleksandër Filipoviq, janë “rehatuar” në strukturat e MUP-it të Serbisë. Ata dyshohen se janë të lidhur me “kokat e krimit” në veri të Kosovës
Nenad Gjuriq është angazhuar në policinë serbe në rajonin e Beogradit, kurse Aleksandër Filipoviq është angazhuar si koordinator/këshilltar në MUP, pasi që zyrtarisht është i pensionuar dhe ligjërisht nuk i lejohet të punojë si punëtor i rregullt.
Sipas burimeve të RTV Dukagjinit, ky veprim po mbahet i fshehur nga serbët në veri, sidomos nga ish- pjesëtarët e Policisë të cilët ishin detyruar të japin dorëheqje nga Policia e Kosovës pikërisht me udhëzimet e Gjuriq dhe Filipoviq.
Gjuriq e Filipoviq janë njerëz të afërt të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, njëherësh edhe konsiderohen si bashkëpunëtorët më të ngushtë me kokat e krimit në Veri të vendit.
Jo rrallë herë, ata kanë shfrytëzuar autoritetin e tyre për të ushtruar presion e kërcënim mbi zyrtarët policor për të mos ndaluar cisterna që po bartnin naftë të kontrabanduar. Kjo mundësi “e shpëtimit nga ligji” i është dhënë kompanisë së personit të sanksionuar nga ShBA-të dhe pjesëtarit aktiv të grupeve ekstremiste në veri, Zvonko Veselinoviq.
Ish-komandanti i stacionit policor, Nenad Gjuriq kishte pranuar më 20 dhjetor të vitit 2022 “Urdhrin e Meritës për Mbrojtje dhe Siguri të Klasit të Parë” nga Vuçiq me të cilin periodikisht ka komunikuar duke raportuar e pranuar detyra, është figurë e njohur për shqiptarët e Veriut pasi ka qenë pjesë e grupit ekstremist “Rojat e Urës” që ka torturuar e masakruar shqiptarë gjatë vitit 2000.
Nuk është e pazakontë por Gjuriq e Filipoviq kanë qenë pjesë aktive e MUP-it serb dhe kanë furnizuar ata me informacione rreth zhvillimeve të ndryshme por për më keq, mendohet se Gjuriq bashkëpunon në vazhdimësi me Inteligjencën Serbe BIA.


