Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në gjykimin ndaj dy të akuzuarve për krime lufte, Momir Pantiq dhe Zharko Zariq, të enjten është dëgjuar dëshmitari Sefedin Salihaj, i cili ka rrëfyer tmerrin e 28 prillit 1999 në fshatin Shushicë të Istogut kur forcat policore serbe dhe paralimitarë masakruan 9 civilë shqiptarë, mes tyre babanë, vëllanë, gruan e vëllait e djalin e vëllait.
Dëshmitari Salihaj tregoi se ditën e ngjarjes ai ishte 1 km larg shtëpisë së tij, te shtëpia e një fqinji kur ka ndodhur rasti, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ai tha se kur kanë dëgjuar gjuajtjet, kishte dalë nga shtëpia e fqinjit dhe përshkroi rrethimin ndaj shtëpive të familjes së tij.
“Rrethimi u bë kohën e hershme, ditën e shtunë. Ka pas milicë prej tri stacioneve- Istogut, Gurakocit dhe Rakoshit. Ka pas edhe të Pejës se Istogu ka qenë qendra e këtyre- Gurakocit e Rakoshit. Ky ka qenë kryeshefi i këtyre stacioneve- ka qenë Momir Pantiq që është quajt Naqallnik”, deklaroi Salihaj.
Dëshmitari tha se kishte parë blinda, mjete të tjera të policisë e paramilitarë serbë, nga pozicioni i tij nga përroi.
Ai deklaroi se pastaj ishte bashkuar me nënën e tij dhe familjarët e tjerë. Tha se e kishte pyetur nënën e tij se “a shpëtuat kush?”.
“Dhe ajo më tha burrat janë vra edhe na tjerët kemi shpëtu, përpos F.,- gruas së vëllait”, tha dëshmitari.
Sipas tij, më pastaj e ëma e tij kishte shkuar te disa fqinj, ndërsa ai me një fqinj tjetëre e panë kufomën e babait të tij 2-3 metra afër shtallës. Ai tregoi se në çfarë gjendje i pa viktimat që ishin të masakruar.
“Organet gjenitale i kanë pasë të prera të gjithë, përpos Sh., (vëllait) edhe veshkat e hjekta të gjithëve”, deklaroi Salihaj.
Dëshmitari tregoi edhe për kufomën e F.,- gruas së vëllait të tij- Sh., trupin e të cilës nuk e gjetën deri pas 2-3 muajsh më larg atij vendi.
Sipas dëshmitarit, varrimi i viktimave ishte bërë me urdhër të një polici serb. Tha se i varrosën viktimat nga më i madhi deri te më i vogli, e që ishte djali i vëllait- H., 17-vjeçar.
Prokurori Ilir Morina e pyeti dëshmitarin se si ka mundur ta dijë se kush ishin grupi që mori pjesë në vrasjen e familjes së tij.
“Unë e di se ata kanë qëndru aty te burgu te stacioni, e di se i kemi pa lëvizjet e tyre se kanë ardhë prej Serbisë. Vitin e parë kur janë ardhë më ’98 nashta në fund të ’97, janë stacionu në qendër të Rakoshit, kolona e tyre rreth 1 km e gjatë me automjete janë ardhë me do kerre të vogla të blidnun. Është shumë e lehtë të kuptohet se ata kanë pas tjetër armatim, janë kanë ma të terrorizum se kanë qenë të përgatitë me çdo rast”, tha ai.
Dëshmitari Salihaj tregoi se të akuzuarin Momir Pantiq e njeh sepse e kishte arrestuar vëllain e tij të madh në fillim të vitit 1998.
I pyetur nëse i ka parë të akuzuarit në shtëpinë e tyre kur iu vranë familjarët, dëshmitari Salihaj tha se nuk i kishte parë. Por, ai tha se të akuzuarin Pantiq e kishte parë disa herë pas luftës.
Ai pohoi se në fillim të marsit 1998, Pantiqi i kishte thirrë 148 shqiptarë- nga tre persona nga secili fshat i Istogut.
“Ky gjoja i ka thirrë me mbajt paqe e mos tentoni me ba si në Drenicë se ua bëjmë ma zi se atyne”, deklaroi dëshmitari.
Dëshmitari u pyet se kush e kreu vrasjen në familjen e tij pas rrethimit.
“Policia kanë qenë në rend të parë, policia e Pantiqit e të tjerë”, tha Salihaj.
Sipas aktakuzës së ngritur më 1 shtator 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ish-kryeshef i stacionit policor në Istog, Momir Pantiq dhe ish-polici Zharko Zariq, ngarkohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”.
Sipas aktakuzës, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, më datën 19 maj 1999 në fshatin Dubravë, saktësisht në burgun e Dubravës pas bombardimeve të NATO-s ku si pasojë kishin mbetur të vrarë 3 të burgosur shqiptarë, Pantiq si kryeshef i stacionit policor bashkë me forcat policore serbe kishin shkuar për të marrë kontrollin e situatës dhe pasi pushuan bombardimet në përbërje edhe të gardianëve kanë hyrë në dhomat e të burgosurve dhe kanë ushtruar dhunë sistematike, duke i rrahur në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, vetëm për faktin se ishin shqiptarë.
Në aktakuzë thuhet se bombardimet e NATO-s kanë vazhduar edhe më 21 maj, ku mbetën të vrarë 18 të burgosur shqiptarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur. Ndërsa, një ditë pas në mëngjes gardianët, të burgosurit, serbë të armatosur bashkë me forcat policore dhe Njësitë Speciale të cilët gjendeshin nën komandën e Stacionit Policor në Istog, fillimisht i kanë mbledhur të burgosurit shqiptarë në fushën e sportit dhe më pas, siç thuhet në aktakuzë filluan të gjuajnë me armë zjarri të llojeve të ndryshme, kurse nga mbrapa murit të burgut kanë gjuajtur me bomba në drejtim të burgosurve shqiptarë.
Gjithmonë, duke iu referuar aktakuzës, forcat policore serbe të Stacionit Policor në Istog, nën udhëheqjen e Pantiqit po ashtu, kidnapuan një civil shqiptar me pseudonimin “A1”, të cilin e dhunuan seksualisht. Përveç viktimës “A1”, në aktakuzë përshkruhet dhunimi i një viktime tjetër- “B1”.


