Të martën, Gjykata Themelore në Mitrovicë ka shpallur aktgjykimin përmes video-incizimit ndaj të pandehurit M.F., i cili ndodhet në qendrën e paraburgimit të këtij qyteti, duke i shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 vjetësh.
Në njoftim bëhet e ditur se i pandehuri është shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale “Kanosja”, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të datës 05.08.2024.
Ngjarja ka ndodhur më datë 03.06.2024, në banesën e përbashkët familjare në Mitrovicë, ku i pandehuri, nën ndikimin e alkoolit, ka kanosur seriozisht viktimën e ndjeshme, vajzën e tij, duke i shkaktuar frikë dhe ankth për jetën dhe sigurinë e saj.
Po ashtu, se në të njëjtën datë, kohë dhe vend, i pandehuri, nën ndikimin e alkoolit, me dashje dhe përmes fjalëve dhe veprimeve kërcënuese, ka kanosur seriozisht edhe bashkëshorten e tij, duke i shkaktuar frikë dhe pasiguri për jetën e saj.
Sipas komunikatës për media, i pandehuri M.F. gjendet në paraburgim nga data 03.06.2024, ndërsa masa e paraburgimit do të vazhdojë deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit. Koha e kaluar në paraburgim do t’i llogaritet në vuajtjen e dënimit me burgim.
“Gjykata ka vlerësuar se veprimet e të pandehurit përbëjnë cenim serioz të sigurisë personale, veçanërisht në rrethana të dhunës në familje, andaj e ka shpallur fajtor dhe i ka shqiptuar dënimin përkatës. Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, në afat prej 30 (tridhjetë) ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit me shkrim”, përfundon njoftimi.


