Lajme

“Nen diskriminues, shtet etnik serb brenda Kosovës” – Shala i PSD-së tregon dy pikat problematike të draft-statutit të Asociacionit

11/12/2023 16:51
nga:Genita C

Azdren Shala nga PSD-ja thotë se me draft-statutin e Asociacionit i cili u publikua mbrëmë po defunksionalizohet shtetësia e Kosovës.

Shala në një prononcim për GazetaBlic përmendi edhe nenet që rrezikojnë Kosovën.

“Draft – statuti i Asociacionit i cili është bërë publik tashmë, për PSD-në është shumë shqetësues sepse e defunksionalizon shtetësinë e Kosovës dhe e rritë edhe më shumë tensionin etnik mes shqiptarëve dhe serbëve. Sipas atij drafti të Asociacionit, shihet qartë që brenda Kosovës krijohet nje trup juridik e politikë autonome serbe. Me fjalë tjera krijon një shtet etnik serb brenda një shteti multietnik siç është Kosova”, tha Shala.

Shala përmend nenin 42 si më të rrezikshmin ku thotë se, aty shihet qartë që Gjykata Kushtetuese nuk është instanca më e lartë që e bën interpretimin, në raste kur Qeveria e Kosovës dhe Asociacioni, kanë mospajtime rreth statutit dhe interpretimit të tij.

“Neni 42 me pikat 1, 2, 3, 4, 5 dhe neni 43 janë shumë problematike për bindjen e PSD-së. Në nenin 42 me pesë pikat e para shihet qartë që Gjykata Kushtetuese nuk është instanca më e lartë që e bën interpretimin në raste kur Qeveria e Kosovës dhe Asociacioni kanë mospajtime rreth statutit dhe interpretimit të tij. Këtë mospajtim, sipas këtij neni e zgjidh një komision arbitrar të cilin e vendos BE-ja”, tha Shala.

Hiç më pak problematik, Shala e sheh edhe nenin 43 ku thuhet se komandanti i policisë për katër komunat veriore me shumicë serbe duhet të jetë serb.

“Edhe neni 43 është problematik për faktin se, komandanti i policisë për katër komunat veriore me shumicë serbe duhet të jetë serb. Pra nuk kemi përzgjedhje mbi përformanca profesionale, por me bazë etnike. Të qenurit serb nuk është kategori profesionale, është kategori etnike, prandaj ky nen është diskriminues”, tha Shala për GazetaBlic.

Raci për disa pika të draft-statutit të publikuara mbrëmë: Ja çka është shqetësuese