Lajme

Nehat Gashi takon Kadri Veselin në Hagë: Na mungon si asnjëherë më parë

10/16/2025 21:55
nga:Genita C

Anëtari i Këshillit Drejtues të PDK-së në degën e Prizrenit, Nehat Gashi, ka vizituar ish-kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, në Hagë, raporton GazetaBlic.

Gashi tha se ishte i lumtur që e pa, por i pikëlluar që po e linte përsëri në ato rrethana të rënda.

“Burrë i fjalës, familjar i përkushtuar, atdhetar dhe lider që po na mungon si asnjëherë më parë”, shkroi Gashi, duke shtuar se Veseli dhe bashkëluftëtarët e tij po përballen me padrejtësi e shkelje të të drejtave të tyre.

Ai e quajti këtë vizitë si të fundit në “Hagën e padrejtësive të mëdha”, ndërsa Veseli, sipas tij, kishte përcjellë një mesazh: “Të fala të gjithëve e shihemi së shpejti.”

E plotë:

Pa masë i lumtur që e pashë, e jashtëzakonisht i pikëlluar e i trishtuar që përsëri e lashë.

E takova përsëri Kadri Veselin.

Burrë i fjalës, familjar i përkushtuar, atdhetar si shokët e tij, e lider i cili po na mungon si asnjëherë më parë. Rrethanat dhe kushtet në të cilat ishim takur herën e fundit, kishin ndryshuar drastikisht për të keq. Dëshmi kjo që tregon padrejtësitë dhe shkeljet flagrante të të drejtave që po i bëhen atij dhe shokëve të tij, Presidentit Hashim Thaqi, bacës Jakup, Rexhës, Calit e shumë të tjerëve.

Është unike se sa të fortë qëndrojnë këta burra këtu. Për admirim e mësim për të gjithë neve në Kosovë që nuk po bëjmë aq shumë në mbrojtje të vlerave tona të luftës së lavdishme.

U morëm vesh që kjo të jetë vizita ime e fundit, këtu në Hagën e padrejtësive të mëdha.

“Të fala të gjithëve e shihemi së shpejti”.