Lajme

Neglizhencë në trajtimin e rastit të zv.ministrit që goditi i dehur një të mitur

02/27/2025 20:28
nga:G B

Rrallë herë merr pjesë në mbledhje të Qeverisë por zëvendësministrit Ali Tafarshiku i erdhi radha këtë javë që të flas në emër të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal.

Kjo për arsye se shefi i tij, ministri Fikrim Damka aktualisht ndodhet në arrest shtëpiak për shkak të një incidenti në ditën e zgjedhjeve në Prizren.

Por, as Tafarshiku nuk është se nuk ka probleme me ligjin.

Në orët e vona të 9 tetorit të vitit të kaluar me veturë zyrtare e në gjendje të dehur, zëvendësministri shkaktoi aksident duke e goditur një 15 vjeçar, i cili edhe u trajtua në spital.

Pavarësisht kësaj, prokurori vendosi ta lirojë zëvendësministrin e Qeverisë Kurti në procedurë të rregullt.

Madje as pas afër pesë muajsh që kur ndodhi aksidenti, prokuroria as që e ka intervistuar dhe këtë e konfirmoi për Dukagjinin vet Tafarshiku.

Prokuroria në Gjakovë nuk i ka thënë asgjë konkrete televizionit pos se po ndërmerren veprime hetimore, ani se i tillë e qenësor për procedurën është edhe intervistimi i të dyshuarit Tafarshiku për veprën penale ‘ngasje në gjendje të paaftë ose të dehur’.

“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se ndaj të pandehurit A.T., Prokurori i Shtetit, ka marr aktvendim për fillimin e hetimeve për shkak të veprës penale “Ngasja në gjendje të paaftë apo të dehur” nga neni 371 paragraf.2, lidhur me paragraf.1. të KPRK-së. Gjithashtu lidhur me këtë rast janë duke u ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, kanë thënë nga Prokuroria Themelore në Gjakovë.

OJQ që monitorojnë punën e institucioneve të drejtësisë shprehen skeptik se këto raste kanë trajtim të duhur e me prioritet.

“Ky rast do të duhej të ishte top prioritet në mënyrë që të përçohej mesazhi edhe tek qytetarët që këto sjellje janë të papranueshme dhe kushdo që kryen vepra të tilla të marr dënimin e merituar por çka është edhe më e rëndësishme është përçimi i mesazhit parandalues tek qytetarët”, ka thënë Ehat Miftaraj nga IKD.

Sipas nenit 371 të Kodit Penal të Kosovës, shkaktimi i aksidentit nën ndikim të alkoolit, mund të dënohet deri në 3 vjet burgim.