Lajme

Në vorbullën e luftës dhe shtypjes, Putin pranë sigurimit edhe të një mandati

03/15/2024 08:09
nga:N K

Sfondi i zgjedhjeve në Rusi është i zymtë: Lufta kundër Ukrainës vazhdon, shtypja e pamëshirshme ndaj disidencës është bartur nga debati politik i fushatës zgjedhore në gjykatore, dhe kundërshtari kryesor i presidentit rus, Vladimir Putin, ka vdekur.

Putin, që ka qenë herë president, e herë kryeministër për pothuajse 25 vjet, pritet që të sigurojë edhe një mandat gjashtëvjeçar në zgjedhjet ashpërsisht të kontrolluara të 15-17 marsit, rezultati i të cilave, me Kremlinin që mban të gjitha levat e pushtetit në mbarë vendin, nuk vihet në dyshim.

Zgjedhjet – në të cilat Putin, 71 vjeç, po garon kundër tre kandidatëve të cilët mezi kanë bërë fushatë, po mbahen në hijen e pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës që tani është në vitin e tretë dhe të vdekjes së dyshimtë të politikanit opozitar, Aleksei Navalny, në një burg në Arktik më 16 shkurt.

Edhe pse rezultati është i parashikueshëm, zgjedhjet megjithatë janë të vështira për Rusinë. Kremlini po tenton që të kthejë zgjedhjet në një shfaqje të unitetit kombëtar për Putinin dhe politikave të tij kyçe: lufta në Ukrainë, shtypja brenda vendit dhe konfrontimi me Perëndimin. Opozita e shtypur e shtetit, me përfaqësuesit e saj kryesisht në burg apo në mërgim dëshiron që të ndihet prania e saj dhe të tregojë se një pjesë e rëndësishme e publikut rus kundërshton shkuarjen e vendit drejt autoritarizmit dhe militarizimit.

“Është një plebishit për Putinin dhe për më tepër një plebishit për luftën”, tha Sergei Medvedev, historian rus që ligjëron në Universitetin e Karlit në Pragë, njëherësh bashkëpunëtor i Radios Evropa e Lirë. “Putin dëshiron një miratim të fuqishëm të luftës së tij me Ukrainën, me Perëndimin, dhe në thelb një luftë botërore për të rishkruar rendin botëror”.

Analisti politik rus, Ivan Preobrazhensky, i përshkroi zgjedhjet si një “operacion të posaçëm për ta riemëruar Vladimir Putinin”, një referencë ndaj eufemizmit që përdor Kremlini për luftën kundër Ukrainës, të cilën e quan “operacion të posaçëm ushtarak”.

“S’ka asnjë mënyrë që t’i quani këto zgjedhje”, tha ai për Radion Evropa e Lirë. “Dhe shumica e popullatës e kupton këtë në mënyrë të përsosur”.

Kjo duket se përfshin kandidatët e tjerë që janë në garë: Ata “as që po tentojnë të pretendojnë se vërtetë dëshirojnë të garojnë apo të fitojnë vota”, tha organizata e pavarur për monitorimin e zgjedhjeve, Golos. Kjo organizatë, që është e ndaluar në Rusi pasi ka dokumentuar raportimet për mashtrime të gjera në zgjedhjet e kaluara, e përshkroi fushatën e këtyre zgjedhjeve si “më të zbrazëtën” në periudhën post-sovjetike.

Analisti politik, njëherësh ish-hartuesi i fjalimeve të Putinit, Abbas Gallyamov, i tha Associated Press se zgjedhjet janë një proces ku “zgjedhja e shumëfishtë zëvendësohet me një të thjeshtë: jeni për apo kundër Putinit”.

Siç ka ndodhur edhe në zgjedhjet e tjera ruse që kur Moska mori kontrollin e rajonit ukrainas të Krimesë më 2014, Moska këtë vit do të organizojë votime edhe në pjesët e pushtuara të Ukrainës nga rusët. Ka raportime se autoritetet pushtuese po përdorin taktika të frikësimit për të detyruar njerëzit që të votojnë në këto zona dhe Kremlini ka inkurajuar qytetarët që jetojnë në pjesët e Ukrainës që Moska pretendon, por nuk i ka pushtuar, që të votojnë në mënyrë elektronike.

Ukraina ka dënuar mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e saj, votime që janë të paligjshme sipas konventave ndërkombëtare. Më 20 shkurt, Estonia, Letonia dhe Lituania përmes një deklarate dënuan votimet në pjesët e pushtuara të Ukrainës, duke i cilësuar si “shkelje të rënda të ligjit ndërkombëtar, Kartës së OKB-së dhe pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”.

Analistët thanë se votimet në zonat e luftës në territorin ukrainas janë mjete kyçe për Kremlinin që të falsifikojë rezultatet dhe të rrisë margjinën e fitores së Putinit, raporton Radio Evropa e Lirë.

Kritikët thonë se zgjedhjet nën Putinin kurrë nuk kanë qenë të lira, e as konkurruese. Megjithatë, shumë nga ndryshuar që nga zgjedhjet e fundit presidenciale të vitit 2018, kur politikani liberal, Grigory Yavlinsky, dhe figura televizive, Ksenia Sobchak, u lejuan të garonin dhe të bënin fushatë kundër Putinit. Navalnyt nuk i ishte lejuar të garonte për shkak të një dënimi më 2013, që ai dhe shumë të tjerë thanë se u mor vetëm për të frenuar ambiciet e tij politike. Megjithatë, ai kishte publikuar një manifest zgjedhor, kishte mbledhur nënshkrime për të treguar peshën tij politike dhe kishte komentuar zgjedhjet.

Që atëherë, megjithatë, autoritetet kanë kryer shtypje të madhe të disidencës që është përshkallëzuar shumë që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës shkurtin e vitit 2022. Organizatat e Navalnyt u shpallën “ekstremiste”, duke detyruar që shumica e aktivistëve të largoheshin nga shteti apo të përballeshin me përndjekje penale.

Kur nisi pushtimi, mediat e pavarura u larguan nga shteti, duke mos dashur të punojnë në Rusi nën kushtet e censurës së kohës së luftës. Disidentët politikë gjithnjë e më shumë u etiketuan si “tradhtarë”, ashtu siç u bë e qartë kur politikani opozitar, Vladimir Kara-Murza, u dënua me 25 vjet burgim – dënimi i tij i gjatë kryesisht ka të bëjë me akuzën për tradhti – në prill të vitit 2023.

Zgjedhjet aktuale mbahen në kushte që njohësi i ekonomisë dhe politikës, Kirill Rogov, i quajti “autoritarizëm të pjekur”, karakteristika kryesore e të cilave është se “opozita ka burime të pamjaftueshme për të pasur ndonjë ndikim në rezultatet e votimit apo në zgjedhje”.