Lajme

Në vitin 2021, 11 mijë shtetas shqiptarë aplikuan për azil në vendet e BE-së

03/16/2022 00:19
nga:Astrit Gashi

Ndonëse me ritme më të ulëta, shqiptarët vijojnë të kërkojnë azil në ndonjë nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

Të dhënat e fundit të Agjencisë për Azil të Bashkimit Evropian (EUAA) bëjnë të ditur se në vitin 2021, nga Shqipëria aplikuan gjithsej për azil 11.2 mijë persona, 77% e të cilëve e kishin aplikim për herë të parë.

Të dhënat e tjera të Eurostat tregojnë se në raport me vitin e mëparshëm, kur lëvizjet ishin të kufizuara për shkak të pandemisë, aplikimet për azil u rritën me 19%, por gjithsesi ato mbeten më të ulëtat që nga viti 2013 (pa përfshirë vitin e pandemisë).

Rekordin e kërkesave për azil vijon ta mbajë viti 2015, me gati 69 mijë aplikime.

Pavarësisht tendencës në rënie, në raport me vendet e rajonit, shqiptarët duan të ikin më shumë se të gjithë shtetet e tjera të rajonit.

Maqedonia e Veriut, që është shteti i dytë në listë pas Shqipërisë për kërkesat për azil ka rreth 5 mijë aplikime, apo më pak se gjysma e Shqipërisë. Më pas renditet Serbia me 3,200, Bosnja- Hercegovina me 2500, Kosova me rreth 2,300 dhe Mali i Zi me më pak se 500. Edhe në raport me popullsinë, Shqipëria mban rekord, me 3.9 aplikime për 1000 banorë.