Opinion

Në vendin ku qençe jetohet

12/29/2022 13:02
nga:Muharrem Nitaj

Shkruan: Muharrem Nitaj

Në këtë vend, qençe do të jetohet, e të gjithë do të dojnë me dalë prej tij, por, edhe po e patët fatin me dalë, prap qençe do të jetoni, gjithmonë e deri sa të mos vendosni që vet të udhëhiqni me veten tuaj.

Të jetosh në vendin që të ardhmën e ka të pasigurtë, që bukën e ka me cikërr dhe që punën e ka të rëndë e të papaguar sa duhet, dmth ta jetosh Kosovën në vitin e mbrapshtë.

Kjo, në vendin ku politikanët, në masë jo të vogël, janë analfabetë e dallavaraxhi, e jo pak prej tyre hajdutë e sehirxhi, që parimet i ndërrojnë më shpesh se sa frymë marrin, e ku të shohin në dritë të syrit e të rrejnë.

Në vendin ku presidentja është veç një grua e mire e ku kryeministri nuk është më shumë se sa një njeri i mirë, ku parlamenti është tempull I inatçinjve e ku gjysma e politikanëve punojnë veç për rrogë, e jo pak prej tyre “rrogat i kanë të vogla por të ardhurat e mëdha.

Ose ta jetosh Kosovën për një vit, është njejt sikur ta jetosh kohën e qoftëlargut, sepse në këtë vend edhe insitutucionet ku shërohet trupi e shpirti, ta fusin veremin e sëmndjen ta shesin me pare.

Kjo dmth ta jetosh në vendin ku akademikët janë pleq pa mjekra, që shkruajnë fletërrufe e erë s’marrin nga shkenca, ku profesorët janë edhe plagjiatorë e ku rrogën nuk e kanë hallall. Ku studentët mësojnë e nuk studiojnë. Ku s’ka nevojë të keshë mbërri dije për një diplomë.

Ta jetosh Kosovën sot, dmth ta përjetosh vendin ku ambasadorët e huaj dijnë më shumë se sa kryeministri, ku sa herë rrezikohet atdheu çohen peshë aradhat fashiste të rrjeteve sociale e ushtria e FACEBOOK-ut.

Në vendin ku shumë nga tregtarët mbajnë mall të skaduar dhe kumbarinë e kanë vec me armiq, ku shumë nga naftëtarët t’vjedhin në cilësi e në litër, ku asfalti shtrohet me hile, ku jo pak nga veteranët e vjedhin lavdinë, ku spiunët fshihen pas burgut, ku sa e sa gjyqtarë janë me parti, ku edhe jo pak besimtarë bëjnë zina e flasin në emër të Zotit.

Kjo dmth të jetosh në vendin nga ku të gjithë dojnë më dalë, e kerkush nuk e bën as ‘lavrën e minit’ që Kosova të bëhët si ai vendi tjetër ku dojnë me shku.
Në këtë vend, qençe do të jetohet hala e deri sa kryeministrat të jenë me pahirë, derisa presidentja të mos jetë kukull, derisa intelektualët të mos jenë robër të rrogës së pushtetit e politikanët të mos i kenë për gazdallarë…

Qençe do të jetohet në këtë vend, e edhe do të vdiset besa, derisa të mos kuptohet se në botën e lirë e pa pushtues, të flasësh do të thotë të jeshë i lirë, të egzistosh pa frikën e linçimit nga analfabetët me rrogë të facebook-ut.

Në këtë vend qençe do të jetohet e të gjithë do të dojnë me dalë prej tij. por edhe po patët fat me dalë, prap qençe do të jetoni, gjithmonë deri sa të mos vendosni vetë se kush do të udhëheqë me jetën tuaj!

Vit për vit duke pritur një dever tjetër!

Gëzuar!