Nga perspektiva e tifo grupeve incidentet e tilla ndodhin për shumë arsye. Por, sipas tyre më shumë se grupore është përgjegjësi individuale. Ndërsa, roli i kryetarit të tifogrupeve nuk është krijimi i incidenteve.
Adnan MUSA, tifoz i “Torcidës” shpjegon se roli i udhëheqësit të tifozëve është të bëjë atmosferë.
“Kryetari i tifogrupit e ka për obligim e ka për detyrë me masën ose pjesën e tina që e udhëheq me i shti me kënu, me bo atmosferë, me ju dhonë motiv shtesë lojtarëve në fushë që me dhonë maksimumin, është organizator i ndeshjes, i tifozërisë”, ka thënë Adnan Musa, tifozë dhe ish kryetari i tifogrupit “Torcida”.
Sipas tij, dhuna dhe incidentet nuk janë të organizuara.
“Jo të organizume, s’munden me kanë, se çdo tifoz që vjen në palestër apo në stadium, ai shkon me përkrahë klubin e vet dhe vetvetiu momentit janë ato që munën me ndodh me s’kalu një situatë, një moment pakënaqësie një tifozit apo një sjellje e keqe e një sportisti kundërshtarë apo një referit apo ka shumë faktorë që ndikojnë që individualisht me pas naj ekces”, ka thënë ai për Betimi për Drejtësi.
Gazetarja Upliana Emra, thotë se incidentet me shumë krijohen nga shikuesit e thjeshtë, por edhe nga vetë zyrtarët e klubeve.
“Edhe nga ata të cilët e konsiderojnë veten, po e them “VIP”. Ë ajo pjesa më afër, do të thotë sa më afër që është fushës kanë ardhur shumë, shumë gjëra shqetësuese nga këta njerëz”, ka thënë Emra.
“Incidentet ndodhin bazë të rivalitetit që kanë tifogrupit në nivel të Kosovës”, ka thënë Korab Elshani, Kryetar i tifogrupit “Xhebrailat”
Në një përgjigje me shkrim, kryetari i tifogrupit “Intelektualet”, Taulant Byçmeti ka thënë se incidentet vinë, si pasojë e urrejtjeve apo sëmundje patologjike nga inatet apo nga ndodhitë me hershme. Ai thotë se në ndeshje sportive mund të futen edhe armë të gjata pasi sigurimet e klubeve janë të pa trajnuara për kontrolla.
“Ajo është një gjë shumë lehte për tu arritur apo për t’i futur brenda stadiumeve në vendin tonë për shkak se në ndeshjet si vendas nëpër këto terrenet sportive është e lehtë për tu kaluar sepse ka shumë pak kontrolle për të mos thënë fare sepse njerëzit që bëjnë kontrollet e tifozëve janë të pa trajnuar dhe jo profesionist përveç në ndonjë ndeshje derbi që kontrollohemi nga njësit elite të Policisë së Kosovës përndryshe edhe arme të gjata mund të fusësh dhe nuk bie ne sy apo në kontroll nga ndokush”, është shprehur ai.
Kryetari i “Intelektualeve”, fajësoi dhe federatat dhe klubet.
“Për fat të keq krerët e Federatave dhe klubet sportive nuk është se i shofin grupet e tifozëve si pjesë e tyre edhe pse pa ne s’do të kishin “shkëlqimin “që kanë! Roli i klubeve dhe i federatave do te ishte determinues dhe përcaktues ne përmirësimin e raporteve dhe parandalimin e këtyre akteve jo te mira mes tifo grupeve. Por sikur klubet edhe federatat mundohen të na mbajnë larg vetes në mënyrë që të mund të veprojnë pa presion dhe ashtu siç dojnë vet”, është shprehur Byçmeti.
Në anën tjetër, tifozi i Torcidës i cili dikur udhëhiqte ketë grup thotë se vendimet e Federatës së Basketbollit i sheh si të gabuara.
“Për mendimin tim është gabim i madh. Ti identifiko personin kamera për fat të mirë ka në tona anët. Identifiko personin përgjegjës që ka gjuh dhe ai është fajtor për veprimin e tij, jo pjesa ku munohu me kanë një mijë veta me pësu për çka, për një individ. Kështu që, përderisa vendimet që i merr federata, nëse një i shkrepës hudhët parket ia pamundësojnë personave familjarë që janë në atë pjesë për me vazhdu me shiku ndeshjen, ai vetë po e krijon një lloj dhune psikikët të ata tifozë, që edhe ata mbas andej mu revoltu pse unë, për faj të dikujt tjetër, me dal jashtë”, ka thënë ai.
Arben Fetahu, Kryetar i FBK-së“Referi kryesor së bashku me delegatin, të cilët janë persona të autorizuar prej Federatës së Basketbollit të Kosovës me organizu një ndeshje, me qenë mbikëqyrës i organizimit të ndeshjes, kanë të drejtë që të bëjnë zbrazie selektive, të pjesshme apo të plotë. Intenca e Federatës Basketboll nuk është që ta zbrazë publikun. Përkundrazi, që ta mbajë publikun sa më afër, por publiku duhet të mbahet asisoji që ne të kemi mundësi që atyre t’u ofrojmë kushte për të përcjellë basketbollin”, është shprehur Arben Fetahu, Kryetari i FBK-së.
-“Puna me klubet e tifozëve edhe puna me ndërgjegjësim publik është shumë e rëndësishme” vlerëson drejtori gjeneral i “KF Prishtina”, Artan Osmani.
/BetimipërDrejtësi/