Në Dhomat e Specializuar të Kosovës (DhSK) në Hagë, po vazhdon dëshminë dëshmitari i 54 i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Ky dëshmitar mban kodin W4739 në këtë rast gjyqësor, ndërsa dëshmia e tij është duke u dëgjuar në seancë të mbyllur për publikun. Sipas kryetarit të trupit gjykues, arsyeja e mbylljes së seancës ndërlidhet me mbrojtjen e dëshmitarit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, përpara fillimit të seancës, trupi gjykues, pranoi në prova materiale disa deklarata të dëshmitarëve përmes audio-incizimeve.
Sipas tij, pasi është konstatuar se deklaratat janë të pranueshme, ata i kanë pranuar në prova materiale dhe kanë kërkuar nga Zyra Administrative që të iu caktojë audio-incizimeve numrin përkatës.
Po ashtu, Zyra Administrative u urdhëruar që t’i riklasifikojë disa prova materiale nga konfidenciale në publike.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, ndryshe nga herët e tjera, këtë herë në seancë gjyqësore janë të pranishëm fizikisht të gjithë të akuzuarit, raporton Betimi për Drejtësi.
Dëshmia e dëshmitarit të 54-të filloi me 2 prill për të vazhduar me 3 dhe sot me 22 prill.