Detaje të reja lidhur me incidentin tragjik të djegies së hotelit Grand Kartal, në malet e Koroglus kanë dhënë mediat shqiptare.
Raportohet se shkëndija e parë e zjarrit ka ndodhur në restorantin e hotelit, dhe më pas zjarri është përhapur me shpejtësi në gjithë strukturën, transmeton klankosova.tv.
“Në orën 03:30 të natës, në lokalin e hotelit ka rënë një shkëndije, një masë ende nuk dihet saktësisht, por aty thuhet se ka filluar zjarri dhe për 15 minuta ka përfshirë të gjithë hotelin”, thotë gazetari Sokol Brahaj.
Ai theksoi se menjëherë pas zjarrit në media kishte kritika dhe shqetësime të shumta për mungesën e një stacioni zjarrfikës në afërsi të hotelit.
“Në fillim u fol dhe kishte kritika pse nuk kishte zjarrfikëse pranë një vendi turistik, pasi zjarrfikësja më e afërme me hotelin është 45 minuta larg”.
Ai shtoi se hoteli, i konsideruar si një nga më të mirët dhe më të sigurtët, ngjall shumë pyetje për shkakun e këtij zjarri, për të cilat priten ende rezultatet nga hetimet.
Një tjetër detaj i rëndësishëm ishte humbja e jetës së disa personave të njohur, duke përfshirë figura të shquara të sportit, artit, shkencës dhe biznesit.
”Kanë vdekur njerëz të njohur të botës turke të sportit, të artit, të shkencave dhe biznesmenë të mëdhenj, pasi në Turqi ishte një pushim dyjavor zyrtar dhe shumica e këtyre familjeve kishin shkuar për të bërë dhurata për të afërmit dhe fëmijët e tyre këto pushime”, tha gazetari.
Në përfundim, ai theksoi se kjo tragjedi ka prekur edhe profesionistë të medias.
”Në këtë tragjedi ka humbur jetën dhe një gazetar me familjen e tij”, përfundoi Brahaj.
Numri i viktimave nga zjarri në hotelin turk ka shkuar në 76 ndërsa për këtë ngjarje të rëndë ka folur edhe presidenti Recep Tayyip Erdoğan, i cili ka paralajmëruar për ndjekje penale për përgjegjësit në lidhje me këtë incident tragjik.