Në Qendren Komunale të Numërimit në Prishtinë, sot pritet të përfundojë numërimi i votave të kandidatëve për deputetë, pas procesit zgjedhor të mbajtur më 28 dhjetor.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se paralelisht po përmbyllet edhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime, ndërsa shumica dërrmuese e vendvotimeve tashmë janë procesuar në platformën zyrtare të KQZ-së.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për EO tha se gjatë ditës së sotme pritet finalizimi i këtij procesi në QKN të Prishtinës.
“Gjatë ditës së sotme (e shtunë, 3 janar 2026), në QKN të Prishtinës pritet të përfundojë verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularë e plotësuar në vendvotime dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë”, tha ai.
Elezi bëri të ditur se deri në orët e paradites është procesuar pothuajse i gjithë numri i vendvotimeve.
“Deri në orën 10:00 të ditës së sotme, në platformën për rezultate të KQZ-së janë procesuar 2,536 nga 2,557 vendvotime apo 99.18% e vendvotimeve, në të cilat u zhvillua procesi i rregullt i votimit më 28 dhjetor”, tha ai.
Sipas tij, procesi i numërimit në QKN ka përfunduar tashmë në shumicën e komunave të vendit.
“Në përgjithësi, procesi në QKN, nga 29 dhjetor 2025 deri më 2 janar 2026, është përmbyllur në 37 komuna: Mamushë, Shtërpcë, Junik, Hani i Elezit, Kllokot, Partesh, Mitrovicë e Veriut, Novobërdë, Zveçan, Viti, Zubin Potok, Ranillug, Dragash, Istog, Obiliq, Gllogoc, Deçan, Shtime, Klinë, Kamenicë, Fushë Kosovë, Leposaviq, Graçanicë, Vushtrri, Rahovec, Skënderaj, Kaçanik, Mitrovicë e Jugut, Gjakovë, Malishevë, Lipjan, Suharekë, Pejë, Prizren, Podujevë, Gjilan dhe Ferizaj”, tha ai.


