Lajme

Në pritje të takimit Kurti-Vuçiq/ Gazetari Kushtrim Sadiku flet nga Brukseli: Cilat janë pritjet e ballafaqimit të liderëve pas 9 muajsh

06/26/2024 14:14
nga:G B

Edhe pak orë kanë mbetur nga takimi në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Fillimisht ata do të takohen ndaras nga kryediplomati evropian, Joseph Borrell dhe më pas në ora 18 pritet takimi trepalësh.

Për takimin e sotëm, nga Brukseli ka folur për Gazeta Blic, gazetari Kushtrim Sadiku, i cili ka përcjellë të gjitha takimet në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Ai thotë se nga takimi nuk pritet shumë, derisa Kurti e Vuçiq po rikthehen pas 9 muajsh tensionesh e ngjarjesh të shumta, derisa ata do të takohen për planin zhvillimor të BE-së dhe fondet e premtuara për vendet e Ballkanit Perëndimor, e jo për zbatim të marrëveshjeve.

Nga takimi nuk pritet shumë, pritet të rikthehen ato tensionet e mëdha dhe gjuha e ashpër që po takohen pas 9 muajve, do të jetë për herë të parë një takim i përbashkët i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit Vuçiq, arsye për këtë nuk është që të dy palët janë të interesuara për marrëveshje por plani zhvillimor i BE-së dhe fondet e premtuara për vendet e Ballkanit Perëndimor që janë dhe Kosova e Serbia . kjo më shumë duket të jetë një arsye që i ka bërë liderët të kthehen dhe ta takojnë njëri-tjetrin, se sa që janë të gatshëm të përmbushin pjesët e marrëveshjeve të arritura, qoftë në Bruksel, qoftë në Ohër”, thotë Sadiku.

Sa i përket atmosferës para takimit, gazetari thekson se ekziston pritshmëri mediatike për takimin, pasi po ndodh pas një kohe të gjatë me shumë ngjarje e tensione.

“Atmosfera duket ekziston një pritshmëri mediatike që po raportojnë se si do të duket ky takim, pasi po bëhet pas gati 10 muajsh. Kujtojmë se në takimin e fundit në Bruksel liderët nuk janë takuar me njëri tjetrin dhe kujtojmë që takimi po ndodh pas shumë zhvillimeve, sulmi në Banjskë, pastaj masat ndaj Kosovës  dhe pastaj kushtëzimi për në Këshill të Evropës për çështjen e marrëveshjes dhe shumë zhvillime tjera të cilat kanë qenë tensionuese dhe akuzuese ndërmjet qoftë ndërmjet dy liderëve, qoftë nga protagonistë të tjerë që kanë mundur t’i referohen subjekteve politike ose pozicioneve qoftë të Beogradit apo të Prishtinës”, thekson Sadiku për Gazeta Blic.

Ndërsa, sa i përket ndërlidhjes së heqjes ose jo të masave të BE-së ndaj Kosovës, ai thotë se për këtë vendosin shtetet anëtare dhe jo vetëm Borrelli, por që shtetet anëtare do t’i kushtojnë vëmendje rezultatit të këtij takimi.

“Takimi dhe heqja e masave si paralajmërim ose si vullnet politik i kryediplomatit evropian ka qenë një lloj karote që e ka sjell Kurtin në tavolinën e bisedimeve, megjithatë heqja e masave nuk varet nga Borrell por nga shtetet anëtare të BE-së, ato do ta kenë mundësinë të votojnë, por shtetet anëtare do ta presin rezultatin ose epilogun e takimit të sotëm nëse do të ketë një lloj shprese në këtë përmbyllje të mandatit edhe të z.Borrell edhe të z.Lajçak, marrë parasysh se janë në fund të 6 mujorit të fundit, edhe pse u prit që shtatori të jetë fundi i mandatit por ua dhanë edhe disa muaj”, shton gazetari.

Sadiku ka dilema nëse Borrell e Lajçak mund të arrijnë një marrëveshje në periudhën e mbetur të mandatit të tyre në kuadër të dialogut.

“A do ta kenë ata mundësinë që për këta muaj të arrijnë një marrëveshje unë kam dilema shumë të mëdha, pasi nuk kanë arritur që ta zbatojnë në periudhën më të gjatë kohore sa kanë qenë në krye të këtij procesi. Nuk është se pritet automatikisht të hiqen me një vendim por shtetet anëtare do ta kenë një vëmendje se çfarë rezultatesh do të  kenë liderët, e liderët kanë ardhur për miliardat e premtuara nga B për planin zhvillimor se sa që kanë dëshirë ta shohin njëri-tjetrin dhe iu konvenon të merren me zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe Brukselit”, deklaron gazetari Kushtrim Sadiku nga Brukseli./Gazeta Blic/

 

BE-ja publikon agjendën e takimit në Bruksel