Qytetarët e Kosovës nesër do t’i drejtohen kutive të votimit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Një proces i tillë sot ka përfunduar në 25 përfaqësi diplomatike të Kosovës ku kanë ushtruar të drejtën e tyre mërgimtarët.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, votimi është përmbyllur në 25 përfaqësitë diplomatike në shtetet, si: Turqi, Gjermani, Zvicër, Francë, Belgjikë, Norvegji, Austri, Suedi, Slloveni, Danimarkë, Itali, Kroaci, Holandë, Republikë Çeke, Hungari dhe në Mbretërinë e Bashkuar, ndërkaq, në orën 01:00 të ditës së diel, sipas kohës lokale në Kosovë, do të përfundojë votimi në 4 përfaqësitë tjera, në ShBA dhe Kanada.
Kryesuesi i KQZ-së, Krehsnik Radoniqi njoftoi se gjatë ditës së votimit jashtë vendit, KQZ ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësitë diplomatike dhe se procesi i votimit është zhvilluar pa ndonjë pengesë.
“Sipas të dhënave nga 25 përfaqësi diplomatike ku është mbyllur votimi, por edhe nga të dhënat e orës 13:00 nga votimi në ShBA dhe Kanada, nga 19,187 votues të regjistruar, kanë votuar 81.29% apo 15,597 votues”, deklaroi ai
Sipas procedurave, këto fletëvotime nuk do të numërohen në përfaqësi diplomatike, por gjatë ditëve në vazhdim do të sillen në Kosovë dhe numërimi i tyre do të bëhet në vendin tonë.


