Lajme

“Ne nuk harrojmë”, protestohet kundër vendimit të Apelit për ta kthyer në rigjykim rastin e vrasjes së Marigona Osmanit

02/28/2024 12:52
nga:N K

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, ka protestuar para Pallatit të Drejtësisë për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Apelit për ta kthyer në rigjykim rastin e vrasjes së Marigona Osmanit.

Protestuesit mbanin në duar pankarta ku kanë shkruar “Poshtë gjykatat patriarkale”, “Femicidin ta ndëshkojmë, jo ta rigjykojmë”, “Siguri dhe drejtësi për gratë”.

Organizatorja e protestës, Bjeshk Guri, tha se vendi i Apelit është skandaloz, teksa thotë se praktikat e sistemit të drejtësisë nuk funksionon për gratë.

“Jemi mbledhur sot këtu pranë Gjykatës së Apelit për të kundërshtuar edhe njëherë praktikat e sistemit të drejtësisë në Kosovë i cili shtet duke na vërtetur çdo herë e më shume se nuk funksionon për gratë, duke ua pamundësuar atyre çfarëdo lloj drejtësie. Vendimi i Gjykatës se Apelit që ta dërgojë ne rigjykim lenden e vrasjes së Marigona Osmanit na revolton tejmase meqë përtej këtij rasti reflekton një praktike të shpeshte në rastet e dhunës ndaj grave dhe femicidit, e cila e kthen rastin në piken zero, duke krijuar pasiguri për gratë në Kosovë dhe rrezikuar që Marigonës t’i behet padrejtësi edhe për se vdekuri”, tha ajo.

Përfshirja e motivit të vrasjes, e cila po ashtu është problematike në vetvete nuk e përjashton se vrasja është kryer në mënyrë mizore. Një sugjerim i tillë e rivendose theksin tek motivet e vrasjes dhe jo akti për çka për ne është e papranueshme. Tutje, është shqetësuese se si Gjykata e Apelit asnjëherë nuk e adreson qasjen problematike te Gjykatës Themelore në trajtimin dhe vlerësimin e dhunimit si vepër penale. Dhunimi seksual është detyrimi në kryerjen e aktit seksual pa dhënien e pëlqimit. Mirëpo Gjykata Themelore nuk e ka te qarte se çka do të thotë kjo, dhe gabimisht nxjerrë konkluzione duke u mbështetur vetëm ne provat e lëndimit fizik gjenital. Prezenca e lëndimeve fizike nuk është vendimtare për përcaktimin e dhunimit”, tha tutje ajo, raporton EO.

Më 23 shkurt, Gjykata e Apelit ka kthyer në rigjykim çështjen ndaj Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut, të dënuar nga Themelorja për vrasjen e Marigona Osmanit.

Në gusht të vitit të shkuar, Krivaça ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Osmanit, ndërsa Sejdiu me 15 vjet për ndihmë në vrasjen e rëndë.

Në aktvendimin e Apelit bëhet e ditur se është aprovuar ankesa e mbrojtësve të të akuzuarve. Me këtë rast është anuluar aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Ferizajt. Krivaça dhe Sejdiu do të mbeten në paraburgim deri në vendimin tjetër të gjykatës së shkallës së parë. Apeli ka vlerësuar se dispozitivi i shkallës së parë është i paqartë, i pakuptueshëm dhe jo në harmoni me dispozitat ligjore.

18-vjeçarja Marigona Osmani ishte vrarë në gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaça. Në aktgjykim e Themelores qe theksuar se Krivaça, më 21 e 22 gusht të dy vjetëve më parë, për motive të xhelozisë e me vetëdije, ka ushtruar dhunë ekstreme ndaj së ndjerës Osmani, me të cilën po bashkëjetonte në banesën e tij. Dhe se për dy ditë radhazi, ai me një shkop druri e kishte goditur viktimën vazhdimisht në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar dhimbje të mëdha fizike e psikike, të cilat është konstatuar se ia kanë shkaktuar vdekjen.

Dy të akuzuarit qenë liruar nga akuza për dhunim, pasi gjykata nuk ka arritur që ta konstatojë dhunimin me asnjë provë.

Familjarët e viktimës ishin ankuar se dënimi i Sejdiut ishte i ulët.

Rasti pati tronditur opinionin publik.