Këngëtarja e re suharekase, Sara Elshani, ka promovuar albumin e saj të parë, me një koncert fantastik, të mbajtur në Qendrën Rinore në Suharekë.
Nga shtatë këngët e saj, të interpretuara live me orkestrën e dirigjuar nga Artan Elshani secila kishte në vete një histori me domethënie për Sarën.
Në prani të mbi 200 mysafirëve, në mesin e të cilëve, kryetari i Komunës, Bali Muharremaj, deputetë e politikanë të tjerë, biznesmenë, sportistë, muzicientë e spektatorë nga shumë sfera të tjera, Sara interpretoi këngët e saja të realizuara ndër vite.
Në mesin e tyre, kënga “Dy Dashuri” fituese e Festivalit Mbarëkombëtar “Vihuela Fest” në Prishtinë, kënga tjetër me të cilën fitoi çmimin e tretë në Festivalin Mbarëkombëtar në Shkodër “Prindër perfekt”, kënga për mjeshtrin Kujtim Alia, kënga gjyshen, për shoqen, për muzikën e ajo për moshën.
Interpretimet e saja, emocionuan të pranishmit, që shpesh herë duartrokitjet i kishin frenetike.
Albumi dhe Koncerti i parë promovues i Sara Elshanit u realizua me këngët e punuara nga kompozitorë e tekstshkrues nga Kosova e Shqipëria, si Artan Elshani, Kushtrim Reshitaj, Rinor Ukimeri, Ervin Bashkimi, Shqipe Gashi-Berisha, Jetmir Mehmedaj e Suela Tukaj.