Shkruan: Arianit Koci
1.
Qëndrimi im që shamia e kokës mund të ndalohet vetëm me ligji – e jo me improvizime që po bëhen, është i njohur.
Në fakt, besoj që baza e një shoqërie demokratike dhe e shëndoshë është liria e shprehjes.
Kjo është arsyeja që une ia mbrojë lirinë e shprehjes, edhe ndonjë personi me të cilin nuk pajtohem thuaja për asgjë.
E mbroj atë liri, me çdo kusht. E në kuadër të lirisë së shprehjes hyn edhe e drejta për bartjen e shamisë së kokës/mbulesës.
2.
Nuk e di sa po e vëreni, por te ne, në mënyrë rapide mos me thënë shqetësuese, po rritet numri i zonjave dhe zonjushave që kanë filluar me e vendosë mbulesën në kokë.
Dhe atë, jo mbulesën çfarë e kanë bartë disa gjyshe tana, por mbulesë tipike që e shprehë përcaktimin fetar.
A reflekton kjo identitetin shqiptar dhe përcaktimin tanë evropian?
Aspak!
3.
Isha pardje në një spital. E punësuara rreth të 30-ave të vonshme- zonjë që e njoh ka kohë, e kishte vendosur shaminë e kokës.
Para disa muajve, nuk e ka pasur!
Kolegja e saj ishte poashtu me shami.
Në pritje, edhe dy zonja ishin me mbulesë të kokës.
.
As në Turqi, nuk ndodh që prej gjashtë zonjave në një hapësirë, katër të jenë me shami.
4.
E drejtë individuale dhe liri e shprehjes?
Patjetër!
A kemi pasur kaq shumë zonja apo zonjusha me mbulesa 20 apo 30 vite më herët?
Jo! Absolutisht jo!
A reflekton kjo identitetin tanë shqiptar dhe përcaktimin tanë evropian?
Aspak!
Kurrë kanë bartur burka nënat dhe gratë shqiptare?
Kurrë!
Sa herë kaloj në rrugën Bajram Kelmendi (ish-Vellusha), në qendër të Prishtinës, shoh zonja me burka.
5.
Mungesa e komunikimit me Evropën, kryesisht për shkak të izolimit që na ka bërë padrejtësisht Bashkimi Evropian, është një prej arsyeve kryesore të depërtimit të ideologjisë fetare.
Ideologjisë politike fetare.
Thjeshtë është kjo punë: sa më tepër komunikon me Evropēn, thithë prej kulturës, dokeve dhe zakoneve të saj.
Në të kundërtën, strukturat retrograde që e përhapin ideologjinë politike përmes feve, e krijojnë terenin dhe momentumin për zhvillim e vet.
E për mometin, ato po lulëzojnē!
Prandaj, liberalizimi i vizave dhe komunikimi me botën është esencial për neve.
Këtë duhet ta kuptoj Evropa, sa nuk është bërë vonë.
E kur bëhet vonë, ky do të jetë problem më i madh për Evropën se për vet Kosovën.