Italia i dha fund aventurës së saj në Gjermani 2024 që në fazën e 1/8-ave, ku u eliminua pas humbjes 2-0 përballë Zvicrës, teksa kjo disfatë vijon të djegë jo pak në vendin fqinj.
Media italiane së fundi ka hedhur dritë mbi një zhgënjim të madh të Spallettit në lidhje me organizimin e qëndrimit të skuadrës në hotelin në Iserlohn, ku futbollistët nuk kanë pasur aspak qetësinë e duhur për t’u përqendruar te puna.
Në hotel kanë qarkulluar shumë njerëz, që kanë shpërqendruar jo pak skuadrën, teksa ndonëse Spalletti u mundua ta mbajë të fshehtë këtë aspekt, duket se ka shfryrë ndaj sponsorëve dhe organizatorëve të grumbullimit.
Artistë, por edhe familjarë të futbollistëve kanë qarkulluar lirisht në hotelin ku qëndruan të kaltrit, diçka e cilësuar si aspak e përshtatshme nga Spalletti dhe që besohet se ka ndikuar jo pak në përqendrimin e skuadrës.
Kjo nuk është hera e parë që në grumbullimet e Italisë nuk ka fort qetësi, pasi në 2004-ën Trappatoni dhe në 2014-ën Prandelli janë ankuar për të njëjtën gjë, pra shumë njerëz të pranishëm, që kanë ndikuar në shpërqendrimin e skuadrës.