Lajme

Në fjalën përfundimtare, Prokuroria tërhiqet nga aktakuza për korrupsion ndaj ish-drejtorit të Arsimit në Istog

09/12/2023 20:51
nga:Sh R

Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Pejë, Prokuroria në fjalën përfundimtare të rigjykimit, u tërhoq nga aktakuza ndaj të akuzuarit për korrupsion Hajrush Shoshi, ish- drejtor i Drejtoratit të Arsimit në Komunën e Istogut. Pas kësaj, trupi gjykues shpalli aktgjykim refuzues ndaj të akuzuarit.

I akuzuari Shoshi në gjykimin e parë kishte pranuar fajësinë ku ishte dënuar e burgim në kohëzgjatje prej 6 muaj, i cili dënim me pëlqimin e tij ishte zëvendësuar me dënim me gjobë në shumën prej 3 mijë e 600 euro, por Gjykata e Apelit kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe çështjen e ktheu në rigjykim dhe rivendosje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së martës, prokurorja e rastit Valbona Disha-Haxhosaj, në fjalën përfundimtare u tërhoq nga aktakuza, duke deklaruar se nuk ishte vërtetuar se nuk ishte provuar se i pandehuri Shoshi, të ketë kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Fillimisht, prokurorja Disha-Haxhosaj, në fjalën përfundimtare tha se për Prokurorinë ashtu edhe për Gjykatën nuk ishte kontestues fakti që i akuzuari Shoshi ishte në pozitën e personit zyrtar si drejtor i Drejtorisë së Arsimit, ku pa konkurs publik ka pranuar në punë punëmarrësen Arta Bytyqi, duke themeluar marrëdhënie të punës në bazë të kontratës së punës, në Shkollën Fillore “Zymer Zeka”.

Gjithashtu, prokurorja tha se nuk ishin kontesuese faktet që Arta Bytyqi ishte pranuar si mësimdhënëse në Shkollën Fillore “Mehmet Akif”, derisa të kthehet mësimdhënësja Njomza Spahija-Blakaj, nga pushimi i lehonisë.

Si dhe tha se nuk ishte kontestues fakti se ende pa përfunduar kontrata e mësimdhënësës Arta Bytyqi, i akuzuari Shoshi, kishte marrë vendim që ta transferonte në Shkollën Fillore “Zymer Zeka” si zëvendësim derisa të kthehet mësimdhënësja R.U., nga pushimi mjekësor, ku kjo e fundit si pasojë e sëmundjes vdes, ashtu që i akuzuari pa shpallur konkurs publik kishte pranuar dhe themeluar marrëdhënien e punës për Arta Bytyqin, e cila ende është duke punuar në shkollën dhe pozitën e njëjtë në afat të pacaktuar.

Sipas Prokurores, shftytëzimi i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar ekziston kur personi zyrtar ndërmerr veprime të cilat formalisht janë në kuadër të autorizimeve të tij, por janë të kundërligjshme në aspektin material, ngase janë në kundërshtim me interesat dhe detyrat e shërbimit, ku me veprimin e tij kryerësi lë pas dore interesat e shërbimit dhe ato i zëvendëson me interesat e veta ose me interesat e ndonjë personi tjetër.

“E që në rastin konkret z.Hajrush Shoshi, në asnjë moment nuk ka menduar se eventualisht është duke vepruar në kundërshtim me Ligjin dhe në kundërshtim me interesat dhe detyrat e shërbimit, kur ka themeluar marrëdhënien e punës për mësimdhënësen Arta Bytyqi, e cila paraprakisht kishte një kontratë pune por në Shkollën “Mehmet Akif”, meqenëse qëllimi i zyrtarit Shoshi ka qenë për interesin më të mirë të fëmijëve, që të mos t’iu ndërpritet viti shkollor”, tha prokurorja Disha-Haxhosaj.

Sipas saj, ajo ishte priudhë kohore e situatës me COVID në pikën e pandemisë, dhe ajo gjendje çfarë ka qenë në tërësi kishte përfshirë edhe arsimin, ku ishte e pamundur të ndërmerret ndonjë veprim tjetër.

Andaj, në fund prokurorja shtoi se nuk ishte vërtetuar se Hajrush Shoshi kishte përfituar për vete por as për mësimdhënësen Arta Bytyqi, por ishte vërtetuar se qëllimi i vetëm i zyrtarit Shoshi, kishte qënë interesi i mirë ndaj fëmijëve.

Pas këtyre, prokurorja Disha-Haxhosaj u tërhoq nga aktakuza, ku më pas kryetari i trupit gjykues, Murat Hulaj, ka shpallur aktgjykim refuzues nga të akuzuarit Shoshi.

Fillimisht, në gjykimin e parë i akuzuari kishte pranuar fajësinë dhe çështja kishte përfunduar në shqyrtimin fillestar, ku ishte dënuar e burgim në kohëzgjatje prej 6 muaj, i cili dënim me pëlqimin e tij ishte zëvendësuar me dënim me gjobë në shumën prej 3 mijë e 600 euro, por Gjykata e Apelit kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe çështjen e ktheu në rigjykim dhe rivendosje.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Pejë, e ngarkonte të pandehurin Hajrush Shoshi, se më 30 shtator 2021, në Istog, në pozitën e personit zyrtar si drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Istog, duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përftimit të dobisë pasurore për tjetrin dhe atë për mësimdhënësen Arta Bytyqi, ku kjo e fundit në bazë të listës së pagave ka përfituar pagë mujore neto në shumë prej 433 euro e 99 centë, e të cilën pagë vazhdon ta realizojë edhe sot.

Sipas aktakuzës, i pandehuri në kundërshtim me nenin 8, par.1 të Ligjit të Punës, me nr.03/L-212, pa konkurs publik, ka pranuar në punë punëmarrësen Arta Bytyqi, duke themeluar marrëdhënie të punës në bazë të kontratës së punës për mësimdhënës, në Shkollën Fillore “Zymer Zeka”, fshati Kaliqan, Komuna e Istogut.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Arta Bytyqi, e cila mësimdhënëse fillimisht ishte pranuar në Shkollën Fillore “Mehmet Akif”, në fshatin Shushicë të Istogut, në bazë të kontratës së punës, duke filluar nga 16 shtatori 2020, e derisa të kthehej mësimdhënësja Njomza Spahiu-Blakaj, nga pushimi i lehonisë, dhe derisa kontrata në fjalë ende nuk ka përfunduar, i pandehuri për të njëjtën mësimdhënëse merr vendim dhe e transferon në Shkollën Fillore “Zymer Zeka” në fshatin Kaliqan, zëvendësim derisa të kthehet mësimdhënësja R.U, nga pushimi mjekësor, e më së largu deri më 31 gusht 2021 dhe për këtë pozitë mësimdhënëses i lëshohet kontrata e punës për mësimdhënës, me ç’rast mësimdhënësja R.U vdes, ashtu që i pandehuri pa shpallur konkurs publik, pranon dhe themelon marrëdhënien e punës për mësimdhënësen Arta Bytyqi, e cila është tani duke punuar në pozitën dhe shkollën e njëjtë të afat të pacaktuar.

Për çka, akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, par.1 të Kodit Penal.