Tipike një episod romanesh. Në fillim i ndau Covid-19 dhe më pas nga lufta. E tillë është historia e një gruaje ukrainase 39-vjeçare, Marina, dhe bashkëshortit të saj 42-vjeçar kanadez, Melton. Të dy u martuan në Ukrainë në vjeshtën e vitit 2019 dhe që atëherë nuk janë parë më njëri-tjetrin. Pas martesës, në fakt, ai u kthye në vendin e tij, ndërsa ajo qëndroi në provincën e Kherson ku jeton, për të përgatitur dokumentet për marrjen e vizës së bashkimit familjar.
Por më pas ‘shpërtheu’ Covid, i cili çoi në bllokimin e fluturimeve dhe zgjatjen e çështjeve burokratike. Kur Marina ishte një hap larg marrjes së vizës, në vend të kësaj shpërtheu lufta. Tani gruaja ka ikur nga Ukraina dhe ndodhet në Milano, duke qëndruar me motrën e saj.
“Unë duhet të marr vizën brenda javës tjetër, pastaj mund të marr biletën. Unë dhe bashkëshorti im mezi presim të përqafohemi përsëri,” thotë ajo për Tgcom24.
Marina dhe Melton u takuan në Lviv në vjeshtën e vitit 2018. Burri shkonte shpesh në këtë vend për turizëm. “Në pranverën e vitit 2019 shkova në Kanada për ta takuar. Me atë rast më propozoi që të martohesha me të”, thotë Marina. Më pas dasma u zhvillua në vjeshtën e vitit 2019 në Ukrainë. Menjëherë pas kësaj, ai u kthye në Kanada duke menduar se do ta shihte sërish gruan e tij shumë shpejt. Në shkurt 2020, të dy i dërguan dokumentet në ambasadë. “Teorikisht, nga ai moment do të duhej të kalonin 12 muaj për të marrë një përgjigje dhe më pas unë dhe djali im mund të kishim një vizë dhe mund të ishim larguar. Më pas erdhi Covid dhe lufta.”, tha gruaja.


