Lajme

Në ekspozitën e të mbijetuarve të dhunës seksuale, Kurti: Kjo temë ka qenë tabu në shoqërinë tonë

12/17/2021 22:59
nga:M K

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në hapje të ekspozitës “Njeri ish ma i fortë se guri”, tha se tha se për vite me radhë kjo temë ka qenë tabu në shoqërinë tonë. “Akoma në shumë raste vazhdon të jetë tabu”, tha ai.

Kurti tha se më e pakta që ne mund të bëjmë për të gjitha gratë dhe burrat e përdhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, është që të flasim hapur me ta – jo për ta.

“Për këtë arsye ekspozita e organizuar në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës nga forum ZFD sjell pikërisht atë që duhet”.

“Përmes rrëfimeve autentike, në njërën anë trajton traumën e përdhunimit, stigmën dhe margjinalizimin, e në anën tjetër shpresën, qëndrueshmërinë dhe dëshirën për jetë”, theksoi ai.

“Vetëm duke diskutuar hapur e në mënyrë të çiltër për dy anët e medaljes, do të kemi mundësi të ndihmojmë në ri-pozicionimin e narrativës për dhunën seksuale në diskursin publik”, tha kryeministri.

Ekspozita është e bazuar në rrëfimet e personave të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës, nga libri “Unë dua të dëgjohem” të cilin Kryeministri Kurti, në takimin e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel, më 19 korrik 2021, ia pat dhuruar Përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por ky i fundit e pat refuzuar.