Krishtlindjet shpesh konsiderohen si një kohë mirësie, por një akt bujarie i një çifti të ri nga Mbretëria e Bashkuar, 50 vjet më parë, ua ndryshoi jetën përgjithmonë.
Më 23 dhjetor 1975, Rob Parsons dhe bashkëshortja e tij Dianne po përgatiteshin për Krishtlindje në shtëpinë e tyre në Cardiff, kur dëgjuan një trokitje në derë.
Në pragun e derës qëndronte një burrë me një qese plehrash që përmbante gjërat e tij në dorën e djathtë dhe një pulë të ngrirë në të majtën.
Robi e studioi fytyrën e burrit dhe e kujtoi si Ronnie Lockwood, dikë që e shihte herë pas here në shkollën e së dielës kur ishte fëmijë dhe për të cilin i ishte thënë të sillej me mirësi, pasi ishte “pak ndryshe”.
“I thashë: ‘Ronnie, ç’është puna me pulën?’ Ai tha: ‘Dikush ma dha për Krishtlindje’. Pastaj unë thashë dy fjalë që na ndryshuan jetën të gjithëve.
“Dhe nuk jam tamam i sigurt pse i thashë. I thashë: hyr brenda”, rrëfen Rob.
Në moshën vetëm 27 dhe 26 vjeç në atë kohë, çifti u ndje i detyruar ta merrte nën kujdes Ronnien, i cili ishte autik. Ata ia gatuan pulën, e lanë të lahej dhe ranë dakord ta linin të qëndronte për Krishtlindje.
Ajo që nisi si një akt dhembshurie u shndërrua në një shoqëri unike dashurie dhe kompromisi që zgjati 45 vjet, deri në ditën kur Ronnie vdiq, raporton BBC, transmeton në shqip gazeta online Reporteri.net.
Robi, tani 77 vjeç, dhe Dianne, tani 76, kishin qenë të martuar vetëm katër vjet kur e mirëpritën Ronnien në shtëpinë e tyre.
Ronnie ishte atëherë pothuajse 30 vjeç dhe kishte qenë pa shtëpi që nga mosha 15-vjeçare, duke jetuar në dhe përreth Cardiffit dhe duke lëvizur nga një punë në tjetrën – Robi ndonjëherë e shihte në një klub rinor që drejtonte.
Për ta bërë të ndihej sa më i mirëpritur, ata u kërkuan familjarëve të sillnin nga një dhuratë për të për Krishtlindje, çfarëdo qoftë, nga një palë çorape deri te disa produkte higjienike. “Më kujtohet ende. Ai ishte ulur në tryezën e Krishtlindjes dhe kishte këto dhurata, dhe qau sepse nuk e kishte njohur kurrë atë ndjenjë dashurie,” tha Dianne.
“Ishte e jashtëzakonshme, vërtet, për t’u parë.”
Fillimisht, ata planifikuan ta linin të qëndronte deri një ditë pas Krishtlindjes, por kur erdhi ajo ditë, nuk patën zemër ta nxirrnin Ronnien dhe kërkuan këshillë nga autoritetet.
Qendra për të pastrehët u tha se Ronnie kishte nevojë për një adresë për të gjetur punë, tha Robi, por “për të pasur një adresë, të duhet një punë”. “Kjo është dilema në të cilën ndodhen shumë njerëz të pastrehë.”
Ronnie Lockwood kishte autizëm dhe mbeti i pastrehë pasi u nxor nga një qendër kujdesi në moshën 15-vjeçare. I vendosur në një shtëpi kujdesi kur ishte vetëm tetë vjeç, Ronnie u zhduk nga Cardiff-i në moshën 11-vjeçare, tha Robi, dhe vetëm kur po bënte kërkime për librin e tij, A Knock on the Door, zbuloi se çfarë i kishte ndodhur.
Ai ishte dërguar 200 milje larg, në një shkollë që në një raport përshkruhej si “shkollë për djem nën nivel normal”, dhe jetoi atje për pesë vjet. “Ai nuk kishte asnjë mik atje. Nuk kishte asnjë punonjës social që ta njihte. Nuk kishte mësues që ta njihnin.”
Robi tha se Ronnie shpesh pyeste: “A kam bërë ndonjë gjë të keqe?”, diçka që ata besonin se e kishte marrë nga koha në shkollë. “Ai ishte gjithmonë i shqetësuar se mos të kishte ofenduar, ose kishte bërë diçka gabim.”
Në moshën 15-vjeçare, Ronnie u kthye në Cardiff “në asgjë”, thanë ata. Çifti tha se Ronnie ishte pak i sikletshëm në fillim, pasi kishte vështirësi të mbante kontakt me sy dhe bisedat ishin minimale.
“Por pastaj e njohëm dhe, të themi të vërtetën, e dashuruam”, thanë ata. E ndihmuan Ronnien të gjente punë si mbledhës mbetjesh dhe e çuan të blinte rroba të reja pasi zbuluan se ai ende vishte të njëjtat rroba që i ishin dhënë si adoleshent në shkollë.
“Nuk kishim fëmijë tanët, ishte si të vishje fëmijët për shkollë, ishim prindër krenarë,” tha Robi.
“Ndërsa dilnim nga dyqani, ajo [Dianne] më tha: ‘Ai ka një punë si pastrues rrugësh, por ne e kemi veshur sikur të ishte drejtori i hotelit Dorchester’,” qeshi Robi.
Robi, që ishte avokat, zgjohej një orë më herët për ta çuar Ronnien në punë para se të shkonte vetë.
Kur kthehej në shtëpi, Robi tha se Ronnie shpesh ishte ulur aty, vetëm duke buzëqeshur, dhe një mbrëmje e pyeti: “Ronnie, çfarë të argëton kaq shumë?”
Ronnie iu përgjigj: “Rob, kur më çon në punë në mëngjes, burrat e tjerë thonë: ‘kush është ai që të sjell në punë me atë makinë?’ Dhe unë u them: ‘oh, ai është avokati im’.”
“Nuk mendojmë se ishte krenar që e çonte në punë një avokat, por mendojmë se ndoshta ai kurrë nuk kishte pasur dikë që ta shoqëronte ditën e parë të shkollës,” tha Robi.
Më vonë kur familja u rrit, ndërsa dy fëmijët e tyre po rriteshin dhe hapësira dukej e kufizuar në shtëpinë e tyre me një banjë, ata shkuan drejt dhomës së Ronniet për t’i sugjeruar të merrte një apartament pak më poshtë rrugës.
Por sapo hynë, ai përsëriti atë pyetje të njohur: “A kam bërë ndonjë gjë të keqe?” Robi tha se Dianne e nxori me qetësi nga dhoma, shpërtheu në lot dhe tha: “Nuk mundem.”
Disa net më vonë, Ronnie hyri në dhomën e tyre dhe pyeti: “Ne të tre jemi miq të ngushtë, apo jo?” “I thashë: ‘Po Ronnie, ne të tre jemi miq të ngushtë’,” tha Robi. “Dhe do të jemi bashkë përgjithmonë, apo jo?” pyeti ai. “Dhe pati një çast pauze, ndoshta paksa të gjatë, e pashë Di-n dhe thashë: ‘Po Ronnie, do të jemi bashkë përgjithmonë’. “Dhe ashtu ishte.”
Ronnie vdiq në vitin 2020, në moshën 75-vjeçare, pasi pësoi një goditje në tru, dhe çifti thotë se i mungon tmerrësisht.


