Lajme

Në Ditën Botërore të sindromës Down BKT Kosova mbështet Shoqatën Down Syndrome Kosova

03/21/2024 15:05
nga:Sh R

Prishtinë, 21 mars 2024 – Në Ditën Botërore të sindromës Down, BKT Kosova rikonfirmon dedikimin e saj në promovimin e gjithëpërfshirjes dhe avokimit për të drejtat dhe mirëqenien e individëve me sindromën Down në Kosovë. Kjo mbështetje nënvizon përkushtimin e Bankës në krijimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse ku çdo individ vlerësohet dhe mbështetet.

Në kuadër të kësaj mbështetje banka mbulon shpenzimet për shërbime terapeutike për një periudhë 12 mujore për dy fëmijë të diagnostikuar me sindromën Down. Kjo nismë synon të ofrojë mbështetje dhe kujdes thelbësor për individët me sindromën Down, duke i ndihmuar ata të arrijnë potencialin e tyre të plotë.

Dita Botërore e sindromës Down, e shënuar çdo vit më 21 mars, shërben si një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin, për të promovuar mirëkuptimin dhe për të mbrojtur të drejtat e individëve me sindromën Down në mbarë botën. Andaj ne sot në BKT Kosova bëjmë thirje për të gjithë që të angazhohemi sa më shumë që të nxisim ndryshime pozitive për një komunitet më gjithëpërfshirës.

Me këtë rast, Z. Suat Bakkal, CEO dhe anëtar i Bordit të BKT Kosova, tha: “Në BKT Kosova, ne solidarizohemi me individët me sindromën Down dhe familjet e tyre. Mbështetja jonë për Shoqatën Down Syndrome Kosova pasqyron përkushtimin tonë të palëkundur në fushën sociale. Në këtë Ditë Botërore të sindromës Down, ne rikonfirmojmë zotimin tonë për të mbrojtur të drejtat dhe mirëqenien e individëve me sindromën Down.”

Shoqata Down Syndrome Kosova shprehu mirënjohjen për mbështetjen nga BKT Kosova, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në nxitjen e ndikimit pozitiv social. “Ne i jemi jashtëzakonisht mirënjohës BKT Kosovës për mbështetjen e tyre në Ditën Botërore të sindromës Down. Së bashku, ne mund të punojmë drejt krijimit të një mjedisi më gjithëpërfshirës dhe mbështetës për individët me sindromën Down në Kosovë,” tha: Sebahate Hajdini Beqiri, Themeluese dhe Drejtore Ekzekutive e Shoqatës Down Syndrome Kosova.