Lajme

Ndryshon trupi gjykues, fillon rishtaz gjykimi ndaj të akuzuarve për tentim vrasje në Podujevë

09/12/2022 16:27
nga:G B

Të hënë, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Departamenti për Krime të Rënda, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor kundër Fidan Maliqit dhe Shkelzen Fazliu, lidhur me akuzat për “Vrasje në tentativë”.

Në fillim të seancës palët u informuan për ndryshimin e trupit gjykues dhe se shqyrtimi gjyqësorë do të nisë nga fillimi. Ndryshimet në trup gjykues ishin bërë për shkak të degradimit të gjyqtares Naime Jashanica, nga Departamenti për Krime të Rënda në Departament të Përgjithshëm, kurse e njëjta është zëvendësuar me gjykatësin Ngadhnjim Arni.

Me këtë rast më kërkesë të gjykatëses Bytyqi, palët u  dakorduan të heqin dorë nga leximi i aktakuzës pasi e njëjta ishte lexuar me herët, si dhe të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm, për veprat që u vihen në barrë.

Në seancën e sotme ka dëshmuar zyrtari policorë Valdet Dermaku në cilësinë e dëshmitarit. Gjithashtu, ishin të paraparë edhe dy dëshmitarë të propozuar nga mbrojtja, por të cilët nuk ishin ftuar pasi procedura ndaj tyre edhe pse ishte veçuar, vendimi nuk ishte i plotfuqishëm, pasi nuk u ishte dorëzuar palëve, deklaroi kryetarja e trupit gjykues, Gjykatësja Medije Bytyq.

Në vazhdim, palët deklaruan se qëndrojnë pranë fjalëve përfundimtare të paraqitura më herët e njëkohësisht u dakorduan që deklaratat e dëshmitarëve të lexohen.

Seanca vazhdoi me dhënien e dëshmisë nga zyrtari policorë Valdet Dermaku, i cili dha deklaratën nën betim.

Në pyetjet e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokati Fitim Gashi, dëshmitari deklaroi se në ditën kritike kishin marrë informatën për një rrahje në progres dhe me veturën kishin shkuar në vendin e ngjarjes.

Tutje, ai shtoi se dëshmitarët u kishin treguar për përfshirjen në rrahje të dy personave të cilët po largoheshin me vrap nga vendi i ngjarjes. Ai shtoi se iu kishin venë pas atyre personave dhe kishin arritur t’i arrestoni diku 500 metra larg nga ku supozohej të kishte ndodhur ngjarja, pasi ishin futur në një veturë.

Në vazhdim, dëshmitari shtoi se në veturë ishin vetëm tre persona dhe se njëri nga ta ishte tani i akuzuari Maliqi, për të cilin deklaroi se u kishte thënë se nuk i njihte këta persona dhe se i kishin hyrë në veturë pa e pyetur atë.

Në pyetjet e anëtarëve të trupit gjykues, dëshmitari deklaroi se nuk i njeh personat që i kishte arrestuar, pasi ai ishte vetëm pjesë e njësisë intervenuese dhe se raportin për rastin e kishte hartuar kolegu tjetër dhe se ai ishte angazhuar në përcjelljen e të dëmtuarve për në QKUK.

Në vazhdim, dëshmitari iu përgjigj pyetjeve të prokurores Besa Limani, e cila e pyeti se a qëndronte pranë deklaratës së dhënë më herët e që dëshmitari u përgjigj se: “Unë i qëndroj deklaratës qe kam dhënë më herët pasi që gjerat mund te harrohen dhe nuk kam mundësi me mbajt në mend”.

Tutje, dëshmitari u përgjigj në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Fazliu, avokatit Nazim Mehmeti, i cili e pyeti se a i kishin legjitimuar në polici personat e arrestuar dhe a ishte i mbrojturi i tij në mesin e tyre. Dëshmitari deklaroi se nuk i kujtohet një gjë e tillë.

Kurse mbrojtësja e të akuzuarit Maliqi, avokatja Aplona Syla i parashtroi pyetje rreth veprimeve të të mbrojturit të saj, e që dëshmitari deklaroi se ata ishin të fokusuar tek personat e arrestuar.

Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit Dermaku, trupit gjykues pas propozimit të prokurores Limani dhe pajtimit të palëve vendosi të ftoi për seancën e ardhshme ekspertët mjekoligjor për të dhënë mendimet e tyre lidhur me lëndimet e palëve të dëmtuara.

Në këto rrethana seanca e radhës u caktua më 12 tetor 2022.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 19 shkurt 2019, Shkëlzen Fazliu, Anton Visoka dhe Isref Fazliu, akuzohen se më 20 shkurt 2018, në rrugën “Gryka e Llapi”, në Podujevë, afër pompës së derivateve “Al Petrol”, derisa të dëmtuarit Patriot Krasniqi, Albert dhe Shaip Babatinca ishin duke lëvizur me veturë që ishte pronë e Shaip Babatincës, i cili edhe drejtonte veturën, të pandehurit kanë bllokuar rrugën me automjetin e tipi “Golf 4”.

Në aktakuzë thuhet se ky automjet ka qenë pronë e të pandehurit Fidan Maliqi, të cilën e ka drejtuar i akuzuari Shkëlzen Fazliu dhe kanë ndalë veturën e të dëmtuarve, e më pas të akuzuarit Anton Visoka, Shkëlzen e Istref Fazliu i kanë dal përpara me veturë, ku në ato çaste të akuzuarit Anton Visoka e Istref Maliqi e kanë goditur të dëmtuarit Albert Babtinca me grushte dhe shqelma nëpër trup, ndërsa, i pandehuri Shkëlzen Fazliu e ka goditur atë me kondak të revoles në vetull.