Gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, janë bërë disa ndryshime të përkohshme në shërbimet e mensës dhe në orarin e konvikteve për studentët.
Sipas njoftimit zyrtar të Qendres së Studentëve, për të mundësuar ushqim të përshtatshëm gjatë syfyrit, mensa do të ofrojë shujta të thata të paketuara. Studentët do të mund t’i marrin ato çdo ditë gjatë orarit të drekës, në një linjë të veçantë të dedikuar.
Ndërkaq, për shkak të fluksit të madh gjatë iftarit, përveç shërbimit të rregullt brenda hapësirave të restorantit, do të ofrohet edhe ushqim i paketuar për ta marrë me vete, në mënyrë që të shmanget mbingarkesa dhe të lehtësohet organizimi.
Po ashtu, gjatë Ramazanit do të ketë ndryshim të përkohshëm edhe në orarin e hyrje-daljeve në konvikte. Studentëve do t’u lejohet hyrje-dalja nga ora 03:00 deri në përfundim të kohës së syfyrit, për t’u mundësuar sigurimin e ushqimit apo nevojave të tjera.
Pas përfundimit të muajit të Ramazanit, orari i rregullt do të rikthehet në fuqi.


