Vëmendja e madhe e Kombëtares shqiptare dhe e të gjitha skuadrave të tjera është në “Play Off”-in e Botërorit dhe më pas në eventin madhor që do të luhet në qershor dhe korrik.
Megjithatë, UEFA paralelisht është duke vazhduar programin e saj për përgatitjen e Ligës së Kombeve të këtij viti.
Shorti do të hidhet më 12 shkurt, ku Kombëtarja bën pjesë në Ligën C pasi nuk ia doli dot të qëndronte në Ligën B pas Europianit.
Për herë të parë, ky kompeticion do të ketë një kalendar ndryshe. UEFA ka menduar që ndeshjet e para të grupeve të luhen të gjitha afër njëra-tjetrës. Pra, nga 26 shtatori deri më 6 tetor, Shqipëria, ashtu si gjitha shtetet e tjera, do të luajë 4 ndeshje.
Futbollistët do të qëndrojnë më shumë kohë me njëri-tjetrin, në një grumbullim të gjatë. Kjo gjë është bërë për t’u ardhur në ndihmë trajnerëve të Kombëtareve për të punuar më shumë me njëri-tjetrin, por edhe skuadrave evropiane që lojtarët e tyre të mos shkëputen disa herë nga kampionatet.
Dy ndeshjet e fundit në grupin e Ligës së Kombeve do të luhen në nëntor.
Tv Klan

