Lajme

Ndryshoi rezultatin zgjedhor, dënohet me 1 mijë euro gjobë

12/05/2022 13:26
nga:N M

E akuzuara për falsifikim të rezultateve të votimit, Jerina Gucati, është dënuar me 1 mijë euro gjobë pasi pranoi fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.

Aktgjykimi u shpall të hënën në Gjykatën Themelore në Mitrovicë nga gjyqtari Bekim Veliqi.

Fillimisht, e akuzuara Gucati u dënua me gjashtë muaj burgim, por me pëlqimin e saj dënimi me burg iu zëvendësua në dënim me gjobë prej 1 mijë euro, në pajtim me nenin 44 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Paraprakisht, u mbajt shqyrtimi fillestar ku e akuzuara pas leximit të aktakuzës nga prokurori Njazi Rexha, e pranoi fajësinë.

“E ndiej vetën fajtore për veprën për të cilën akuzohem, pendohem për veprimin, ka mundur të ketë gabime me rastin e konstatimit në procesverbal”, deklaroi e akuzuara Gucati.

Prokurori Njazi Rexha në lidhje me pranimin e fajësisë nga e akuzuara në shqyrtimin fillestar i propozoi gjykatës që të aprovojë pranimin e fajësisë nga e akuzuara, pasi i njëjti pranim i fajësisë është bërë në mënyrë vullnetare, pa presion, në konsultim me mbrojtësin e saj, e në mbështetje në provat që gjenden në shkresat e lëndës.

Po ashtu, edhe mbrojtësi i të akuzuarës Gucati, avokati Avni Leci, në lidhje me pranimin e fajësisë nga e akuzuara në shqyrtimin fillestar i propozoi gjykatës që të aprovojë pranimin e fajësisë nga e mbrojtura e tij, pasi e mbështet deklarimin e të njëjtës për pranimin e fajësisë, pasi është bërë në konsultim me të dhe me vullnet të lirë.

Tutje, pas marrjes së deklarimeve të palëve në lidhje me pranimin e fajësisë nga e akuzuara, gjyqtari Veliqi konstatoi se aprovohet pranimi i fajësisë nga e njëjta.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 8 shtator 2022 ka ngritur aktakuzë kundër Jerina Gucatit sepse në zgjedhjet parlamentare të datës 6 tetor 2019, në gjimnazin “Hamzë Jashari” në Skenderaj, në cilësinë e kryesuesit te Këshillit të Vendvotimit në Qendrën e Votimit me nr.2101X/01R, pas mbylljes se vendvotimit, me rastin e numërimit te votave te kandidatëve brenda një subjekti politik, e pandehura ka hequr votat e disa kandidatëve dhe ka shënuar disa kandidatë të tjerë duke i regjistruar në mënyrë jo të saktë gjithsejtë 93 vota, prej tyre 37 vota të shtuara dhe 56 të hequra.

Me ketë ka kryer veprën penale – Falsifikim i rezultateve te votimit nga neni 216 par.2 lidhur me par.1 te KPRK. /Betimi për Drejtësi.

Kryeshefi i KEK-ut në Komision – Beqa e paralajmëron sërish: Mund ta thërras Policinë