Profesori i Shkencave Politike, Avdi Smajlaj ka reaguar ndaj siç pretendon ai padrejtësisë në një konkurs.
Ai ka theksuar se për dallim nga regjimi i vjetër që të paktën e ftonin në intervista, regjimi i ri nuk e ka ftuar as në intervistë, raporton Gazeta Blic.
“Ndryshimi në mes Regjimit të Vjetër dhe Regjimit të Ri: Regjimi i Vjetër të paktën më pat ftuar në intervistë”, ka shkruar ai.
Reagimi i plotë:
Në një pozitë në të cilën kam aplikuar dikur në Regjimin e Vjetër, aplikova edhe në Regjimin e Ri tani.
Ndryshimi në mes Regjimit të Vjetër dhe Regjimit të Ri:
Regjimi i Vjetër të paktën më pat ftuar në intervistë.
Regjimi i Ri, si Ndryshim nga ai i Vjetri, nuk më ftoj as në intervistë.
Ndoshta ky është menduar të jetë Ndryshimi i shumëpritur.
Megjithatë, nuk matet ndryshimi me përvojën time personale. Uroj që rasti im, të mos jetë rregull se si po punon Regjimi i Ri. Të tjerëve mos t’u bëhet padrejtësi në mundësi të barabarta, për neve si individ, ska rëndësi.
E konsideroj padrejtësi, për faktin se besoj fuqishëm se kam shumë përvojë për pozitën që aplikova, dhe do të kontribuoja në zhvillimin e asaj fushe, që do të ishte në të mirë të vendit e shoqërisë. Edhe aplikimin e kam bërë për këtë qëllim.
Megjithatë, ne si qytetarë të Kosovës, duhet të përpiqemi të përmirësojmë vendin tonë, që vlen më shumë se sa secili lider e lidere, e se sa secila parti politike. Dhe nuk do të ndalemi në këtë drejtim. Nuk do të ndalemi së kërkuari ndryshimin për të mirën e qytetarëve, derisa ai të vjen, nëse jo sot, nesër, nëse jo me këto parti, atëherë me të tjera. Nuk i kemi borxh asnjë lideri e liderje e partie, i kemi borxh vetëm vendit, dheut, shoqërisë e fëmijëve tonë, të ardhmës së vendit tonë.
Ndryshim quhet edhe fakti që sot është data 21 Maj, e dje ishte 20 Maj.


