Ndryshimet e paketës fiskale godasin rëndë industrinë prodhuese. Kështu janë shprehur shoqatat e biznesit në komisionin e Veprimtarive Prodhuese të thirrur për seancë dëgjimore për propozimet e Financave, që sipas tyre nuk janë konsultuar me sipërmarrjen dhe do të rrisin ndjeshëm kostot për ta.
Teksa cilësuan këto ndryshime vetëm si një mënyrë për të shtuar të ardhurat në buxhet, përfaqësuesit e biznesit i kanë kërkuar qeverisë të tërhiqet dhe të rishikojë paketën fiskale.
“E dukshme që qeveria ka nevojë për para por jo duke goditur prodhuesit, plan afatshkurtër për të mbledhur të ardhura shpejt. Por në këtë komision kërkojmë që kjo paketë të mos miratohet por të konsultohet në vijim dhe të merren parasysh propozimet e shoqatave të biznesit”.
Mes ndryshimeve të propozuara në paketën fiskale e vetmja masë e mirëpritur nga sipërmarrja duket se është lehtësimi i tatimit për pagat dhe rritja e pragut të patatueshëm, që sipas tyre ndihmon jo vetëm qytetarët por në efekt zinxhir edhe vetë sipërmarrjen.