Ish- ministrja e punëve të jashtme, Meliza Haradinaj, ka folur për Gazeta Blic për pranimin e planit franko-gjerman nga Kosova dhe asociacionin.
Ajo vlerëson se Kosova si çdoherë, as tash nuk i ka refuzuar përpjekjet e aleatëve ndërkombëtarë për të avancuar stabilitetin e paqen në rajon dhe duhet t’i dyfishojë ato, për një marrëveshje afër finales me Serbinë.
“Kosova asnjëherë nuk i ka refuzuar përpjekjet e aleatëve ndërkombëtarë për të avancuar stabilitetin e paqen në rajon, përkundër përpjekjeve të fqinjit tonë verior për ta bërë të kundërtën. Prandaj, nuk do të duhej ta bëjë as tash, por përkundrazi – të dyfishojë bashkëpunimin, të shfrytëzojë veprimet diplomatike përmes MPJ-së, dhe të argumentojë saktë pse kërkesat e Kosovës në këtë dialog e në këtë marrëveshje NUK JANË MAKSIMALISTE POR janë vendimtare për të arritur tek një zgjidhje vërtet afër përfundimtares, nëse jo përfundimtare me Serbinë”, thotë ajo.
Ish kryediplomatja uron që kryeministri e ka përdorur kohën deri para pranimit të planit franko-gjerman që të kërkojë që kërkesat legjitime të Kosovës të inkorporohen në draftin final të ‘marrëveshjes bazë.’
“Ndonëse do të ishte mirë që njohja të jetë në qendër të negocimit mes Kosovës dhe Serbisë si kërkesë e kahmotshme e të gjitha qeverive të pasluftës, por që tani dinamikat gjeopolitike pas luftës në Ukrainë fatkeqësisht nuk janë më në favorin tonë për të insistuar në njohjen reciproke në qendër. Uroj Kryeministri ta ketë përdorur kohën deri para pranimit të propozimit franko-gjerman për të kërkuar nga aleatët amerikanë e evropianë që kërkesat legjitime të Kosovës të inkorporohen në draftin final të ‘marrëveshjes bazë’”, thekson Haradinaj-Stublla për Gazeta Blic.
Për të është shqetësuese që Asociacioni është si nen i veçuar ndaras, teksa shton se nëse të gjitha mbesin ashtu siç janë parë në draftet e qarkulluara në media, do t’i faturohen Qeverisë Kurti si dështim.
“Për mua është shqetësuese kur Asociacioni figuron si nen i veçuar ndaras nga neni ku zotohen palët reciprokisht për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake. Po ashtu është shqetësuese trajtimi i çështjes së personave të pagjetur në një nen bashkë me post-telekomunikimin, sportin, kulturën, konektivitetin rajonal, etj. ndërsa do të duhej të ishte pjesë e një neni të veçantë për ballafaqimin me të kaluarën gjenocidale të Serbisë gjatë luftës në Kosovë. Po ashtu, në draftet e qarkulluara shohim për herë të parë kërkesën për formalizim të të ashtuquajturit “status” të veçantë të Kishës Ortodokse, kur e dimë fare mirë se kjo çështje nuk ka qenë temë diskutimi asnjëherë në Bruksel, nuk ka marrëveshje paraprake të veçantë për të, dhe nuk do të duhej të figuronte fare në tekstin e “marrëveshjes bazë.” Këto të gjitha nëse mbesin ashtu siç i kemi parë në draftet e qarkulluara në media, do t’i faturohen Qeverisë Kurti si dështim për të ngritur kualitetin e negocimit dhe neglizhencë për të përmirësuar draftin fillestar të marrëveshjes”, potencon ajo.
Haradinaj-Stublla shton se nëse drafti fillestar i ‘marrëveshjes bazë’ është pranuar nga Qeveria pa u ndryshuar këto pika dhe pa njohjen reciproke, marrëveshja e nënshkruar do të jetë më e disfavorshme për Kosovën.
“Pra nëse drafti fillestar i ‘marrëveshjes bazë’ (ku Serbia qartazi ka pasur sukses në elaborimin e interesave e kërkesave të tyre) është pranuar nga Qeveria pa u ndryshuar pikat e mësipërme dhe natyrisht pa njohjen reciproke në qendër, atëherë edhe marrëveshja e nënshkruar në fund do të jetë më e disfavorshme për Kosovën sesa për Serbinë”, deklaron ish ministrja.
Sa i përket vendosjes së 6 kushteve për Asociacionin nga Kurti, ajo thotë se janë zbutje e qëndrimit refuzues të Kurtit sa ishte opozitar, përqafim i realitetit, që ajo këtë e sheh si pjekuri politike dhe jo zmbrapsje.
“Vendosja e kushteve për Asociacionin është zbutje e qëndrimit refuzues të KM Kurtit të kohës sa ishte opozitar, dhe përqafim i realitetit politik në qeverisje si dhe obligimeve shtetërore që Kosova ka marrë kur ka nënshkruar marrëveshjet, pavarësisht kualitetit të tyre. Pra unë zbutjen e qëndrimit të KM Kurtit e shoh si pjekuri politike, e jo si zmbrapsje. Unë ende kam shpresa se Qeveria aktuale nuk do e mbajë Kosovën peng të disa marrëveshjeve të dëmshme të së kaluarës, duke ia hapur derën Serbisë që përmes Asociacionit një-etnik e ekzekutiv-të kontrollojë, kushtëzojë, e destabilizojë Kosovën sa herë të dëshirojë. E nëse plani qenka “mere ose leje” – atëherë vendosja e kushteve është e padobishme. Por kjo mbetet ende e paqartë”, vlerëson ajo.
Ish ministrja po ashtu ka thënë se Kurti nuk duhet të lejojë rikthimin dhe rinegocimin e temave sovrane në tavolinën e dialogut dhe asociacioni nuk duhet të rinegociohet, pasi për të ka një marrëveshje dhe një vendim nga Kushtetuesja dhe se ai duhet të ketë statusin e një OJQ-je.
“Sa i përket Asociacionit, më kujtohet saktë koha kur BE synonte diskutimin e temave sovrane të Kosovës si Trepça e Ushtria në dialog me Serbinë! Deklarata e djeshme e zëdhënësit të BE-së – se janë të gatshëm të ri-diskutojnë Asociacionin në Bruksel, është e rrezikshme dhe e papranueshme. Kryeministri NUK DUHET të lejojë rikthimin dhe rinegocimin e temave sovrane në tavolinën e dialogut. Për Asociacionin ka një marrëveshje ekzistuese (edhe pse e dëmshme), dhe një mbrojtje ligjore përmes Gjykatës Kushtetuese – për të cilën janë pajtuar edhe Kosova edhe Serbia, prandaj NUK ka hapësirë për rinegocim më. Gjykata Kushtetuese vendosi se Asociacioni duhet të ketë statusin e një OJQ-je, siç është Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe aty përfundon gjithçka. Rruga e implementimit është e qartë”, përfundoj ajo./Gazeta Blic/


