Lajme

Ndryshimet sociale/ Sociologu: Kanë qenë të nevojshme për t’u përshtatur me rrethanat e reja

09/01/2024 09:10
nga:N K

Ndryshimet sociale janë proceset dhe ngjarjet që ndikojnë në mënyrën se si funksionojnë dhe organizohen shoqëritë. Këto ndryshime ndikojnë në strukturën dhe dinamiken e shoqërive, duke formuar mënyrat e jetesës dhe ndërveprimit të individëve dhe grupeve.

Lidhur me këtë çështje në një prononcim për Gazeta Blic, u deklarua sociologu, Labinot Kunushevci. Ai tha se në shoqërinë kosovare ndryshimet sociale kanë qenë të nevojshme për t’u përshtatur me rrethanat e reja të krijuara.

“Shoqëria kosovare pas luftës ka pësuar ndryshime dhe transformime politike, ekonomike, kulturore dhe shoqërore. Këto ndryshime kanë qenë nevojë dhe domosdoshmëri e kohës për t’u përshtatur me rrethanat dhe nevojat e reja, në dinamikat e reja të tregut dhe perspektivës profesionale”, deklaroi ai.

Tutje ai tha se ndryshimet tregojnë për nevojën për përmisimin e cilësisë së jetës.

“Ndryshimet, transformimet apo përditësimet e ligjeve, institucioneve, zakoneve, sistemit të vlerave, raporteve shoqërore, planifikimeve familjare, shërbimeve publike, flasin për nevojën për përmirësimin e cilësisë së jetës që ndikon në mirëqenien e qytetarëve. Pra, vërehet një standard në rritje që synon një mirëqenie sociale më stabile, me gjithë sfidat dhe ngecjet në dispozicion”, tha ai.

Kunushevci tha se transformimet sociale edhe mund të krijojnë sfida e konflikte midis asaj të vjetrës dhe të resë.

“Ndryshimet sociale mund të prodhojnë edhe sfida, konflikte, rivalitete, turbulenca, prishje të ekuilibrave, ndërmjet të vjetrës dhe të resë, por krijimi dhe forcimi i elitave kulturore dhe intelektuale që kanë guximin, autoritetin dhe kompetencën që këto ndryshime t’i kthejnë në efikasitetin, cilësinë dhe sigurinë e jetës, do të ishte një zgjidhje e domosdoshme. Dhe kjo bëhet me zhvillimin e debatit të hapur kulturor, me avansimin e institucioneve publike, me garantimin e të drejtave dhe lirive të njeriut”, përfundoi sociologu, Labinot Kunushevci.

/GazetaBlic/