Lajme

Ndryshimet në statutin e PD-së, kryetari shkarkohet pa të drejtë rikandidimi në rast se humbet zgjedhjet

12/11/2021 12:30
nga:M K

Në statutin e ri të Partisë Demokratike, i cili pritet të votohet sot në kuvendin kombëtar të kësaj force politike, është parashikuar që kryetarit të saj t’i mbarojë mandati pa të drejtë rikandidimi, në rast se partia humbet zgjedhjet e përgjithshme dhe nuk rezulton forcë fituese qeverisëse.

Në statutin e ri gjithashtu është parashikuar që nëse partia humbet zgjedhjet lokale, atëherë kryetari votëbesohet me votë të fshehtë në kuvendin kombëtar dhe quhet i votëbesuar nëse ka marrë jo më pak se 70% të votave të anëtarëve që kanë marrë pjesë në votim.

Sali Berisha, i cili propozoi mbajtjen e kuvendit kombëtar pasi Lulzim Basha e pezulloi përkohësisht nga grupi parlamentar i PD për shkak se ishte shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka deklaruar se gjatë punimeve të kuvendit kombëtar të sotëm, Basha do të shkarkohet nga detyra e kryetarit. Ai vetë ka shpallur kandidaturën për t’u bërë kryetar partie, e nëse votohet do të rikthehet në këtë post pas 8 vitesh, shkruan A2CNN, përcjell GazetaBlic.

Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se do të shkëpusin marrëdhëniet me PD nëse zgjidhet kryetar një person i shpallur “non grata”. Ndryshe është shprehur ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca.