Lajme

Ndryshim i komandës në kontingjentin gjerman të KFOR-it në Prishtinë

01/16/2025 12:40
nga:N K

Në qendrën e KFOR-it në Kampin Film City në Prishtinë, sot u zhvillua ceremonia e Transferimit të Autoritetit të Kontingjentit Gjerman të KFOR-it.

Kolonel Christian Gerber, komandanti në largim, ia dorëzoi komandën Kolonelit Jörg Reichstein, komandantit të ri të këtij kontingjenti.

Gjeneral-Lejtnant Bernd Schütt, Komandant i Komandës Operacionale të Forcave të Armatosura Gjermane, vlerësoi punën e Kolonelit Gerber për udhëheqjen dhe shërbimin e tij dhe e uroi Kolonelin Reichstein për suksesin në detyrën e re.

“KFOR vazhdon të implementojë mandatet e tij në Kosovë, të mbështetura nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke kontribuar në sigurinë dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët dhe komunitetet, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in”, thuhet në njoftimin e NATO-s në Facebook.