Lajme

Ndihmësi kryesor i Zelenskyt: Nëse do të varej nga Ukraina, lufta do të përfundonte nesër

01/23/2025 12:13
nga:Sh R

Askush nuk dëshiron t’i japë fund luftës në Ukrainë më shumë se sa ukrainasit, por ajo duhet të rezultojë në paqe, tha kreu i administratës presidenciale të Ukrainës për Euronews në Davos, pasi presidenti Volodymyr Zelensky iu drejtua delegatëve duke i bërë thirrje Evropës të zgjohet.

“Evropa nuk mund ta lejojë veten të jetë e dyta apo e treta në radhë për aleatët e saj”, tha presidenti ukrainas.

Zelensky në fjalimin e tij në Davos, ka bërë ‘thirrje zgjimi’ të ashpër për kontinentin.

“Mesazhi nuk mund të ishte më urgjent: lufta gjithëpërfshirëse e Rusisë kundër Ukrainës, tashmë në vitin e tretë, mbetet në pragun e të gjithëve. Betejat që përfshijnë ushtarë të Koresë së Veriut po ndodhin tani në vende gjeografikisht më afër Davos-it sesa Phenianit”, tha udhëheqësi ukrainas.

Kreu i administratës së tij, Andriy Yermak, i tha Euronews se Ukraina ka nevojë për mbështetjen e kontinentit, për t’i dhënë fund luftës që ajo kurrë nuk donte të ndodhte në radhë të parë.

“Ne jemi viktimë e këtij agresioni dhe me të vërtetë duam të rivendosim një paqe të drejtë. Ne duam t’i japim fund kësaj lufte. Por sigurisht, këtë vit në Davos, fjalimi i presidentit ishte posaçërisht për këtë moment dhe për Evropën”, shpjegoi Yermak.

Fjalimi i Zelensky në Davos erdhi vetëm një ditë pas inaugurimit të presidentit të SHBA, Donald Trump dhe autoritetet e Kievit mbeten të sigurta se administrata e re amerikane do të qëndrojë në krah të Ukrainës.

“Ne vlerësojmë gatishmërinë e presidentit të SHBA-së dhe administratës së re për ta bërë atë realitet dhe për t’i dhënë fund luftës me paqe të drejtë”, tha Yermak.

Kur bëhet fjalë për agresionin e Rusisë, “është e nevojshme të jemi bashkë: Evropa, Shtetet e Bashkuara me Ukrainën dhe të shkojmë drejt paqes përmes forcës”, shtoi ai.