Sporti

Ndëshkohej qëllimisht për të pasuruar miqtë, mbrojtësi i Sevillas vihet në pranga, rrezikon 3 vite burg

01/15/2025 16:45
nga:Mergim Rreci

Mbrojtësi i Sevillas, Kike Salas, është arrestuar nga policia pasi dyshohet se ishte ndëshkuar qëllimisht me karton të verdhë, në mënyrë që miqtë e tij të fitonin baste.

22-vjeçari u ndalua nga policia në Sevilje të martën dhe më pas u lirua pa akuza pasi kishte ushtruar të drejtën e tij për heshtje.

Ai është ende nën hetim dhe do të thirret për t’u marrë në pyetje para trupës gjykuese.

Sipas ligjit spanjoll dhe rregullave të federatës së futbollit, ai mund të përballet me humbjen e licencës për dy deri në pesë vjet dhe një dënim me burg nga gjashtë muaj deri në tre vjet, si dhe një gjobë midis 3000 dhe 30,000 euro.

Një hetim i vazhdueshëm i udhëhequr nga policia spanjolle pretendon se dy miq të mbrojtësit të Sevillas kanë bërë rreth 10,000 euro në pak më shumë se një muaj, duke vënë baste që Salas të merrte kartonë të verdhë, sipas raporteve të një historie të publikuar fillimisht nga El Confidencial.

Në total, ata thuhet se kanë vendosur rreth 30 baste në gjashtë pika të ndryshme në qytetin Moron de la Frontera, 50 km nga Sevilla, prej nga është 22-vjeçari.