Sporti

Ndeshje fantastike këtë fundjavë në basketbollin kosovar

02/06/2026 18:24
nga:Mergim Rreci

Xhiro e 19-të e Procredit Superligës së Kosovës në basketboll, nis të shtunën me duelin mjaft interesant, ndërmjet Borës dhe kampionës aktuale, Trepçës.

Këta të fundit ka kohë që nuk e njohin humbjen, duke qenë se kanë fituar plot dhjetë ndeshjet e fundit kampionale.

Megjithatë edhe kryeqytetasit po kalojnë formë të mirë, anise e humbën përballjen e fundit në Gjakovë prej Vëllaznimit.

Ajka e këtij vikendi është zhvendosur në Suharekë!

Golden Eagle Ylli që tashmë duket se e ka kompletuar përbërjen e skuadrës, me afrimet super kualitative që i solli së fundmi, e pret në “13 Qershori” njërin prej pretendentëve kryesor për të gjitha trofetë, Bashkimin e Prizrenit.

Edhe “Arpagjik’t” janë duke transferuar lojtarë të spikatur, duke paralajmëruar një sezon të “çmendur” basketbollistik.

E diela është e rezervuar për klasiken kosovare, ku në palestrën sportive “Karagaçi” në Pejë, ekipi i këtij qyteti e pret Sigal Prishtinën.

Ndonëse asnjëra nuk po kalon momentum të mirë në kampionat, pesha historike që e ka ky derbi, e kthen vëmendjen e basketboll-dashësve në këtë ballafaqim të nxehtë.

Java mbyllet me betejën në “Mizair Isma”.

Rahoveci po tenton ta kap trenin e fundit për mbijetesë në elitën e këtij sporti, kurse Vëllaznimi për t’u rreshtuar në çerekfinale të fazës “Playoff”.