Izraeli dhe Kosova do të përballen të shtunën në ndeshjen e parë kualifikuese për ‘Euro 2024’.
“Dardanët” kërkojnë që ta nisin mbarë misionin e madh drejt kualifikimit, por që natyrisht nuk do ta kenë aspak të lehtë ndaj një kundërshtari që fitoi grupin në Ligën e Kombeve.
30 mijë tifiozë pritet të jenë në shkallët e stadiumit “Bloomfield”, me atmosferën që pritet të jetë e “zjarrtë” në këtë takim.
Si nga trajneri, ashtu edhe nga stafi i kombëtares së Izraelit kanë deklaruar fjalë të mëdha për “Dardanët”, duke thënë se do ta kenë shumë të vështirë përballjen me një kombëtare që momentalisht i ka futbollistët në formë të mrekullueshme.
Gazetari më i njohur i sportit atje, Liav Nachmani tha për ‘GazetaBlic Sport’ se ka një atmosferë të mirë tek kombëtarja e Izraelit dhe se ka besim të madh se misioni i kualifikimit në ‘Euro 2024’ është i mundur.
“Ka një atmosferë të mirë në kombëtaren e Izraelit. Të gjitha biletat janë shitur për këtë takim. 30 mijë njerëz do të jenë në stadium dhe të gjithë besojnë se misioni i kualifikimit është i mundur“, tha fillimisht ai.

Më pas, ai tha fjalë të mëdha për futbollistët e Kosovës, duke cituar edhe menaxherin e kombëtares dhe ish futbollistin e Chelsea dhe Liverpool, Yossi Benayoun, që ka një respekt të madh.
“Menaxheri Yossi Benayoun ka folur shumë për Kosovën dhe e respekton shumë. Por jo vetëm ai. Të gjithë lojtarët i dinë emrat, Rrahmani nga Napoli, Muriqi nga Mallorca apo të tjerët që luajnë për Torinon, Galatasaray, Burnley apo Olympiacos. Sigurisht që do të jetë e vështirë, dhe ndeshja e parë vlen 6 pikë dhe jo vetëm 3, sepse ne të dy duam të përfundojmë në vendin e 2-të“, përfundoi Nachmani.
/GazetaBlic Sport/


