Lajme

Ndërrohet kontingjenti moldavian i KFOR-it, ushtarët nderohen me medalje për shërbimin

01/28/2025 14:03
nga:N K

Koloneli Rocco Mundo, komandant i Komandës Rajonale në Perëndim të misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, ka kryesuar ceremoninë e ndërrimit të kontingjentit të Moldavisë, të mbajtur në kampin “Villaggio Italia” në Pejë.

KFOR në njoftim tha se Koloneli Mundo shprehu vlerësimin e tij për ushtrinë moldaviane për “nivelet e larta të gatishmërisë dhe profesionalizmit të demonstruar në misionin Joint Enterprise”.

Ushtarët e Ushtrisë Moldaviane u nderuan me medalje në shenjë mirënjohjeje për përkushtimin dhe shërbimin e tyre të shkëlqyer.

KFOR-i përsëriti se vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

KFOR-i tha se punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.