Lajme

Ndërpritet seanca ndaj Pjetër Shalës, kërkon të kontaktojë me ekipin mbrojtës

06/06/2023 11:19
nga:Y I

Seanca e të martës në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) ndaj Pjetër Shalës është ndërprerë për 20 minuta, në mënyrë që Shala të kontaktojë me ekipin mbrojtës për këtë periudhë.

Këtë e bëri të ditur, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Mappie Veldt-Foglia.

‘‘Do të bëjmë një pushim prej 20 minutash, njësia e administrimit të gjykatës do të lehtësoj kontaktin ndërmjet të akuzuarit dhe ekipit mbrojtës të tij dhe pastaj do kthehemi përsëri në sallë në mënyrë që të mund të vazhdojmë me kundër-pyetjet ndaj dëshmitarit’’, tha ajo.

Ndryshe, seanca e sotme ka nisur me marrjen në pyetje të dëshmitarit të shtatë (me kodin 1) nga ekipi mbrojtës në seancë private.

Mbrojtja vazhdon me kundra-pyetjet e fundit ndaj dëshmitarit të shtatë në rastin e Pjetër Shalës

Në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), seanca e të martës po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarit të shtatë (me kodin 1), i cili ka filluar të përgjigjet në kundra-pyetjet e fundit të mbrojtjes.

Mbrojtësi i Shalës, avokati Mohamed Hédi Aouini ka kërkuar të kalohet në seancë private për të vijuar me pyetjet ndaj dëshmitarit, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Shala, sikurse edhe ditët tjera është duke e përcjellë seancën përmes video-lidhjes.

Ndryshe, ky dëshmitar ka filluar dëshminë e tij më 30 maj dhe e vazhduar edhe më 31 maj, duke iu përgjigjur pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS-së) dhe mbrojtësit të viktimave.

Kurse, më 2 qershor ai ka filluar të merret në pyetje nga mbrojtja, të cilët kanë vazhduar edhe më 5 qershor.

Gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku deri më tani janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë.

Dëshmitari i parë ka filluar dëshminë e tij më 27 mars dhe e ka përfunduar më 28 mars, dëshmitarja e dytë ka filluar dëshminë më 28 mars dhe e ka përfunduar më 29 mars, dëshmitari i tretë ka filluar më dëshminë më 29 mars dhe e ka përfunduar më 30 mars, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e katërt.

Kurse, dëshmitari i pestë e filloi dëshminë më 1 maj, ndërsa e përfundoi më 2 maj, ku edhe filloi dëshmia e dëshmitarit të gjashtë, e cila përfundoi më 3 maj. Më pas, dëshmia e dëshmitarit të shtatë filloi më 30 maj.

Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.