Ndërmarrja Publike “Prishtina Parking” e cila është nën pronësi të Komunës së Prishtinës është në krizë financiare.
Kjo ndërmarrje e cila merret me menaxhimin e parkingjeve në kryeqytet po përballet me probleme të shumta.
Në kushte anonimiteti brenda kësaj kompania kanë deklaruar për “Gazeta Blic” se punëtorët muajin e kaluar janë paguar në mesin e muajit ndërsa gjatë këtij muaji vetëm disa janë paguar dhe të tjerët ende jo, edhe pse data shënon 9 prill.
Edhe kryetari i Sindikatës së ndërmarrjes ‘Prishtina Parking’, Flamur Hajdari, konfirmoi për “Gazeta Blic” gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet kjo kompani.
Hajdari pohoi se punëtorët e administratës ende nuk i kanë marrë rrogat për këtë muaj
“Punëtorët e Administratës nuk i kanë marrë pagat ende këtë muaj ndërsa punëtorët e terrenit i kanë marrë, kontrollerat. Ka vështirësi dhe rroga është ndër minimalen. Të shohim tani me Ligjin e ri se çfarë po ndryshon, jemi në vështirësi e gjithë kompania. Ende nga Komuna nuk ka ndonjë hap konkret në lidhje me këtë çështje me aq sa unë kam dijeni” tha Hajdari në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.
Flamur Hajdari- Kryetari i Sindikatës së ndërmarrjes ‘Prishtina Parking’
Një lajm të tillë e ka konfirmuar edhe vetë Kryeshefi i ‘Prishtina Parking’, Amir Kozmaqi.
Kozmaqi tha për “Gazeta Blic” tha se është krizë financiare dhe se ka problemet me rrogat e disa punëtorëve.
“Po është e vërtetë që ka probleme me rrogat e disa punëtorëve, është krizë financiare” deklaroi Kozmaqi.
Por siç ai deklaroi shumë shpejt pritet të bëhet zgjidhje dhe të ekzekutohen pagat e të gjithë punëtorëve.
“Shumë shpejt është duke u bë zgjidhje me ua qit pjesës tjetër pagat. Besoj se në fillim të javës së ardhshme u dalin pagat” deklaroi kryeshefi i ‘Prishtina Parking’ në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.

Amir Kozmaqi- Kryeshef i ‘Prishtina Parking’
“Gazeta Blic” ka dërguar pyetje në adresën elektronike të ‘Komunës së Prishtinës’ lidhur me këtë çështje dhe se çfarë hapash po ndërmerren për të gjetur zgjidhje, por deri në momentin e publikimit të lajmit nuk ka patur një përgjigje nga ana e tyre.
Kujtojmë se punëtorët e ‘Prishtina Parking’ kanë protestuar për herë të tretë para zyrave të kësaj ndërmarrjeje.
“Rritja e pagës, pagesa e shujtës, pagesa e sigurimit shëndetësor, shlyerja e borxhit për muajin shtator dhe pagesa e kontributit të sindikatës” janë kërkesat kryesore që këta punëtorë kërkojnë nga ndërmarrja dhe Komuna e Prishtinës.
Të njëjtit kanë paralajmëruar grevë të përgjithshme nëse kërkesat e tyre nuk ju plotësohen.
/Gazeta Blic/


