Lajme

Ndërkombëtarët ngulin këmbë për dialogun dhe marrëveshjen gjithëpërfshirëse, Kurti me ‘prioritete’ tjera

04/08/2021 18:37
nga:M K

Çdo urim që ka ardhur për kryeministrin Kurti që pas marrjes së postit të kryeministrit, kishte një pikë kyçe, dialogun me Serbinë dhe marrëveshjen gjithëpërshirëse.

Një e tillë, kreut të ekzekutivit, sot i erdhi edhe nga sekretari i shtetit, Anthony Blinken, përcjell GazetaBlic.

Blinken, përmes një letre e ka uruar Kurtin për detyrën e re, teksa ia ka precizuar saktë faktin se dialogu duhet të jetë proritet.

LEXO EDHE:

Sekretari Blinken uron Kurtin dhe i kujton dialogun: Marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohje të ndërsjelltë ndërmjet dy vendeve!

Megjithatë, momentalisht, Kurti po kryen edhe emërimet e fundit para fillimit seriozisht të punës, ose thënë më mirë, fillimin e përmbushjes së premtimeve.

Ai si para fushatës, ashtu edhe gjatë e pas saj kishte deklaruar vazhdimisht se dialogu do të jetë një nga prioritetet, por asesi parësori. Madje, ai pati bërë edhe një renditje. Fillimisht e kishte pozicionuar dialogun në vend të shtatë në tabelën e synimeve, për ta ‘kualifikuar’ më pas në të katërtin.

Por, duke parë këtë presion në heshtje nga të gjitha qarqet ndërkombëtare, dialogu mund të fillojë shumë më shpejtë se që ishte pritur, ndërsa veçse kanë filluar të qarkullojnë zëra për një takim Kurti – Vuçiq në Paris, saktësisht në muajin Shtator.

Lidhur me këtë, GazetaBlic ka kontaktuar analistin dhe njohësin e zhvillimeve politike në vend, Valon Syla, i cili pati goxha vërejtje në drejtim të të parit të qeverisë.

Sipas tij, kjo neglizhencë e pushtetit ndaj dialogut tregon se Qeveria e re Kurti – Osmani nuk është në sinkronizim me Uashingtonin.

“Atë që po e bën qeveria e tregon më së miri se vija politike me Uashingtonin nuk është në sinkronizim. Ka gjasa që kjo qeveri të llogaris në rritje të pazarit politik që të nxjerr diçka nga diplomacia e fortë perëndimore, sikur ndoshta intereset parësore, si vaksinat, ose vizat.

Duke pasur parasysh që ndalesën për bisedime e kushtëzojnë me prioritete, që në gjuhën kosovare i bie Vaksina ose Viza, tregon për mendësinë e diplomacisë”, tha fillimisht Syla.

Tutje, ai tha se këtë variant e pati provuar edhe Qeveria Haradinaj, por që siç dihet nuk pati sukses.

“Të njëjtën e pat provuar edhe Qeveria Haradinaj dhe nuk pati sukses. Kushtëzimet për bisedimet me Serbinë deri tani nuk kanë dhënë rezultat…sepse për diplomacinë amerikane, bisedimet duhet të vazhdohen pa kushte. Dëshmi më e mirë e kësaj është rrëzimi i tri qeverive nga viti 2014, si ajo Mustafa, Haradinaj dhe Kurti 1.

Kosovarët dhe qeveria e re kosovare duhet ta kuptojnë se bisedimet janë punë dhe prioritet kosovar, jo vetëm i Uashingtonit, Brukselit apo dikujt tjetër. Tregtimi me bisedime nuk ka pasur sukses. Ka pasur vetëm dështim të qeverive dhe dorëheqje apo shkarkime të qeverive”, përfundoi Syla.

/GazetaBlic/