Lajme

Ndërkombëtarët i thonë ‘STOP’ Kurtit për Urën e Ibrit!

08/02/2024 11:58
nga:Y I

Në vitit 2014 në orën 05:00 të mëngjesit u hoqën barrikadat mbi urën kryesore të Ibrit në Mitrovicë.

Aksioni për heqjen e barrikadave të vendosura nga të ashtuquajturit “rojat e urës”, u hoq nga po të njëjtit dhe nuk u shënua asnjë incident.

Heqja e këtyre barrikadave erdhi pas një marrëveshjeje të arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë nën ndikimin e presionit ndërkombëtar.

Këto barrikada u zëvendësuan me blloqe betoni dhe pemë dhe u quajt nga autoritetet vendase “Parku i Paqes”.

Çështja e hapjes së “Urës së Ibrit” është një temë që i ka përcjellë në vazhdimësi qeveritë ndër vite .

E kohët e fundit kjo temë u riaktualizua sërish.

Në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, pati thirrje disa javë më parë, që ‘Ura e Ibrit’ të hapet plotësisht për qarkullim.

Edhe Kryeministri vendit, Albin Kurti, u shpreh më pas se Qeveria e tij synon hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, dhe që ai veprim nuk është kundër askujt.

“Hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër që ne e synojmë, nuk është kundër askujt, por është për qytetarët, për mallrat dhe për kapitalin. I ndihmon si njerëzit në të dy anët e Ibrit pa dallim etnie, gjithashtu edhe tregtinë, ekonominë dhe bashkëpunimin”, tha ai.

I menjëhershëm ishte reagimi i BE-së ku theksuan se çdo vendim duhet të mrret në kuadër të dialogut në Bruksel.

Në lidhje me këtë çështje ka reaguar sërish dje zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Ai tha se çdo hap dhe veprim duhet të bëhet në kuadër të dialogut të Brukselit.

“Qëndrimi ynë i përgjithshëm është që marrëveshjet e arritura në kuadër të kornizës së dialogut duhet të implementohen. Çdo hap dhe veprim duhet të zgjidhet dhe të diskutohet në kuadër të dialogut.Çështja e rihapjes Urës së Ibrit është çështje e dialogut. Çfarëdo vendimi për ta hapur duhet të bëhet në dialog” deklaroi Stano.

E për këtë temë sot në mëngjes i shkuan në zyrë kryeministrit Kurti ambasadorët e shteteve të QUINT-it.

Ata pas takimit dolën me një deklaratë ku ishin kategorikisht kundër hapjes së Urës së ibrit.

“Ne përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë… u takuam me kryeministrin Kurti për ta informuar që qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim të statusit aktual të urës së Mitrovicës aktualisht” tha Hovenier.

Në lidhje me këtë çështje ka folur për “Gazeta Blic” ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj.

Dedaj tha se Kosova është projekt i përbashkët mes Kosovës, SHBA, BE dhe NATO-s, dhe si e tillë duhet të koordinohet me ta për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë për sigurinë dhe stabilitetin.

“Republika e Kosovës është projekt i përbashkët mes Kosovës, SHBA, BE dhe NATO-s, të cilët në aleancë dhe bashkëveprim pas shumë sakrificave dhe luftës çlirimtare të UÇK, realizuan lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Si e tillë Kosova duhet të forcoj këtë partneritet me aleatët euro amarikan dhe padyshim që duhët të koordinohet për të gjitha çështjet të cilat kanë të bëjne me sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon. Asnjë politikë elektorale, populiste dhe asnjë fushatë zgjedhore nuk do duhej të vente në dyshim këtë partneritet i cili është determinues për sigurinë dhe vetë ekzistencen e shtetit të Kosovës” tha Dedaj për “Gazeta Blic”.

Ndërsa njohësi i zhvillimeve politike, Avni Arifi, tha për “Gazeta Blic” se veprimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës do të sfidonin autoritetin e Komandantit të KFOR-it dhe se nuk është në interes të Kosovës.

“Me të drejtë apo pa të drejtë KFOR dhe vendet aleate e konsiderojnë Urën e Ibrit si objekt të rëndësisë së vecantë. Refuzimi i tyre për hapjen e saj sado që e pakuptueshme për ne paraqet dështimin e radhës së Qeverisë se Kosovës në sqarimin dhe qëllimin e tendencës për hapjen e saj. Besoj se veprimet unilaterale të Qeverisë së Kosovës do të sfidonin autoritetin e Komandantit të KFOR-it dhe nuk besoj se eshte ne interes të Kosovës as tash as kurrë konfrontimi me vendet Aleate” tha Arifi për “Gazeta Blic”.

Ndërsa ish-inspektori i Përgjithshëm i AKI-së, Burim Ramadani ka thënë se hapja e Urës së Ibrit do të simbolizonte kontrollin e shtetit mbi veriun.

“Aktivitetet e deritashme, kryesisht policore, kanë qetësuar sadopak situatën në veri. Veprimet shtetërore marrin kulmin simbolik me hapjen e Urës së Ibrit.
Prandaj, hapja e Urës është dëshmia simbolike për kontrollin e veriut” deklaroi Ramadani.

Aktualisht kjo urë shfrytëzohet vetëm për levizjen e këmbësorëve dhe ruhet nga forcat e policisë dhe ato të misionit paqeruajtës të NATO-s.

/Gazeta Blic/

Stano: Çdo vendim për hapjen e Urës së Ibrit duhet të dalë nga dialogu në Bruksel

Hovenier: Nuk e përkrahim asnjë ndërrim të statusit të Urës së Ibrit