Sporti

Ndarja nga jeta e Pele, Armand Duka: Futbolli humbi mbretin

12/29/2022 22:31
nga:Lorik J

Presidenti i FSHF Armand Duka ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të legjendës braziliane të futbollit botëror, Pele.

Në një reagim në rrjetet sociale, Duka thotë se futbolli ka humbur mbretin, por legjendat jetojnë gjithmonë.

“Futbolli humbi sot mbretin. I madhi Pele, braziliani virtuoz që magjepsi botën me talentin e tij, u nda nga jeta pas një betejë me problemet shëndetësore. Një moment i vështirë për të gjithë ata që patën fatin ta shikonin nga shkallët e stadiumit duke luajtur, por edhe për ato që e kanë njohur përmes historisë dhe bëmave të tij. Do t’i mungojë shumë botës së futbollit, por rekordet, arritjet e tij unike dhe trofetë e shumtë e kanë ngjitur prej shumë kohësh në olimpin e futbollit. Legjendat jetojnë përgjithmonë! U prehsh në paqe i madhi Pele”, shkruan Armand Duka në rrjetet sociale.

Pele u nda nga jeta në moshën 82-vjeçare pas 1 muaj qëndrimi në spital. Ai vuante nga kanceri i zorrëve.