Lajme

Ndarja nga jeta e Bukoshit, Spiropali: Aktor në rreshtin e parë të skenës së historisë moderne të Kosovës

06/10/2025 17:30
nga:Y I

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit të Republikës së Kosovës, Bujar Bukoshi.

“I trishtueshëm lajmi për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit të Republikës së Kosovës, Bujar Bukoshi.

Aktor në rreshtin e parë të skenës së historisë moderne të Kosovës dhe dëshmitar i dorës së parë, Bukoshi është ndër njerëzit simbol të së shkuarës së afërt të Kosovës dhe projektimit të së ardhmes së saj, e cila erdhi”, theksoi Spiropali në mesazhin e ngushëllimit.

“Bashkë me Presidentin Rugova, Bukoshi ishte nga luftëtarët e mëdhenj ëndërrimtarë të Kosovës dhe për Kosovën Republikë.

Rezistenca, sqima dhe veprimtaria e tyre fituan mbështetje të gjerë perëndimore dhe u prinë ngjarjeve të mëdha, lirisë, pavarësisë dhe shtetit demokratik të Kosovës”, theksoi Spiropali.

“Ata dhe patriotët që i mbështetën besuan se fuqia qëndron tek e drejta dhe se e drejta e sakrifica janë fuqia e vërtetë e një populli.

Respekt dhe mirënjohje për këtë njeri-simbol! I qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, përfundon mesazhin kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali.