Lajme

Ndarja e nga 100 eurove për fëmijë e pensionistë, reagon Bajrami: Tentim për të blerë vota, jeni në panik por nuk ju shpëton as kjo

12/22/2024 12:17
nga:G B

Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë për ndarjen e nga 100 eurove për secilin fëmijë dhe pensionist, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se shpërndarja e buxhetit të shtetit në kohë fushate është skemë e korrupsionit publik.

Bajrami ka thënë se po tentohen të blihen vota, pasi janë në panik por as kjo skeme nuk i shpëton.

Postimi i saj i plotë:

Shpërndarja e buxhetit të shtetit në kohë fushate është skemë e korrupsionit publik.

Qeveria e cila investimet kapitale në vitin 2024 i ka më të ulëta se në vitin 2017 e 2018, e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota.

Qeveria e cila gjatë mandatit i ka dyfishu faturat e energjisë elektrike, e ka dyfishu tatimin në pronë, i ka poshtru shërbyesit civilë, i ka fy sindikatat, e ka dëtyru njësinë elitare të Policisë me dalë në protestë, i ka mbetë ushtria pa bukë e policët pa këpuca, i ka maltretu prindërit dy vite radhazi me blerjen e librave, qeveria në mandatin e së cilës janë rritë çmimet si kurrë më pare, sot me para të taksapagusëve po tenton me ble vota.

Janë 4 vjet të humbura.

Jeni në panikë, por as kjo skemë nuk ju shpeton dot.

Me 9 shkurt votohet për ndryshim jo për lëmoshë!